Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u shfaq sot para Kuvendit me një të ri, duke pretenduar se ai ishte shoqëruar gjatë protestave dhe se më pas ishte dhunuar nga efektivët. Por policia i ka hedhur poshtë pretendimet e Shehajt dhe të riut, i cili krah deputetit, deklaroi se ishte dhunuar në ambientet e komisariatit nr. 1 në Tiranë mbrëmjen e së martës.

Përpara kamerave, kreu i Partisë Mundësia tha se i riu, Enea Gjodedja, është kërcënuar nga olicia dhe më pas i janë premtuar favore.

“Është kërcënuar dhe pastaj e kanë marrë prapë në telefon, e kanë kuptuar që kanë bërë një krim për të cilin do të mbajnë përgjegjësi dhe e kanë marrë në telefon pastaj për ta marrë me të mirë dhe për t’i premtuar favore. Enea mund ta tregojë vetë se çfarë ka ndodhur”, tha Shehaj.

Enea thotë se është shoqëruar pas përfundimit të protestës, është dërguar në komisariatin nr. 1 dhe dy persona më pas e kanë marrë dhe e kanë kërcënuar e goditur pa pushim.

“Isha duke protestuar si gjithë të tjerët te bulevardi, në momentin që nisëm të shpërndaheshim nëpër shtëpi, te bashkia, te bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ vjen një makinë, isha me një shok, më fusin brenda, na shoqërojnë deri te komisariati nr. 1. Na çojnë te qelitë aty brenda, pastaj vjen njëri më kërkon, më thotë të kërkon shefi sipër. Ishte Roki Pepa, filloi direkt me fjalë banale bashkë me Ervin Hasramën, më kanë goditur pa pushim. Si për kërcënime, Roki Pepa tha mos harro se e ke personale, je me fat se këto pllaka do t’i laje në gjak. Nuk e di a është krim të protestosh, por unë për vete do e denoncoj, do i shkoj deri në fund kësaj gjëje, nuk e fal”, tha i riu.

Gjithçka duket e besueshme deri në këtë pikë pasi Gjodedja shfaqet me syrin e majtë të ënjtur e paksa të mavijosur. Por, e vërteta është krejt ndryshe dhe një procesverbal i plotësuar nga vetë protestuesi nxjerr blof pretendimet e tij dhe të Agron Shehajt për dhunë.

Sipas autoriteteve, Gjodedja është shoqëruar dhe vënë në hetim për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

Më pas ka nënshkruar procesverbalin, ku vetë pranon se nuk ka asnjë pretendim për veprimet e punonjësve të policisë: “Nuk kam pretendime. Por dua të më çoni me makinë!”, e është larguar.

Nuk ka pasur asnjë moment që Gjodedja të ketë qenë në zyrën e shefit të komisariatit.

Ditën e sotme në drekë, ai është paraqitur në spital me lëndime në sy dhe policisë i ka deklaruar se mbrëmjen e mëparshme është dhunuar nga disa persona të panjohur, pranë ish-Hotel Dajtit. Deklaratën e ka dhënë në prani të avokatit dhe nuk ka bërë as kallëzim.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me pretendimet e shtetasit E. Gj. për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.

Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.