Platforma “Këshilltari i Bashkisë Time”, e prezantuar gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, është tashmë e hapur për aplikime. Procesi synon të krijojë një mekanizëm të hapur dhe konkurrues për identifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë komunitetet në këshillat bashkiakë. Vlerësimi do të zhvillohet në tri faza, me një total prej 100 pikësh.
Përmes kësaj platforme, Partia Socialiste synon të mbledhë shprehjet e interesit nga qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë në jetën publike dhe të angazhohen në përfaqësimin vendor.
Sipas përshkrimit të publikuar nga platforma, procesi mbështetet në parimet e dialogut, transparencës dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, duke krijuar një rrugë konkurruese për identifikimin e kandidatëve, bazuar në profilin, kontributin dhe potencialin e tyre.
Kandidaturat do të regjistrohen dhe vlerësohen brenda së njëjtës bashki, sipas të njëjtit mekanizëm për të gjithë aplikuesit.
Procesi i vlerësimit parashikon tri faza: aplikimin, intervistën dhe debatin publik, me një total prej 100 pikësh.
Faza e parë është aplikimi, ku kandidatët vlerësohen me maksimumi 30 pikë. Për të kaluar në fazën e intervistës, aplikuesit duhet të grumbullojnë të paktën 16 pikë nga 30 të mundshme.
Pas intervistave, procesi vijon me fazën e debatit publik, ku do të kualifikohen deri në 20 kandidatë për çdo bashki.
Një tjetër element i parashikuar nga platforma është transparenca në vlerësim. Çdo kandidat do të njoftohet për pikët e grumbulluara pas përfundimit të secilës fazë, duke bërë të mundur ndjekjen e ecurisë së tij përgjatë procesit.
Përveç kritereve të vlerësimit, platforma përcakton edhe disa kushte që duhet të pranohen nga aplikuesit për t'u bërë pjesë e procesit.
Pëlqimi për përpunimin e të dhënave personale, transmetimin e debatit publik dhe publikimin e videove është kusht i detyrueshëm për aplikim.
Megjithatë, regjistrimi në platformë dhe pjesëmarrja në procesin e vlerësimit nuk përbëjnë garanci për përfshirjen në listën përfundimtare të kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.
Përzgjedhja dhe përfshirja në listë do të kryhen në përputhje me procedurat e Partisë Socialiste dhe kërkesat ligjore në fuqi.
https://keshilltariibashkisetime.al/












Komente
Komento