Oficerë të lartë të Policisë në Skoci po kërkojnë të kufizohet ose të ndalohet tregtimi i biçikletave dhe skuterëve elektrikë. Thirrja vjen pas rritjes së përdorimit të këtyre mjeteve në vepra kriminale dhe raste të sjelljes antisociale.
Policia e Skocisë sekuestroi 1,204 mjete të paligjshme nga janari deri në tetor të vitit 2026, krahasuar me 727 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Të lidhura
None found
Edhe incidentet ku janë përfshirë biçikletat dhe skuterët elektrikë janë shtuar ndjeshëm: nga 1,689 në vitin 2025, numri ka shkuar në 3,208 këtë vit. Ndërkohë, veprat penale dhe shkeljet e raportuara janë rritur nga 1,730 në 3,367.
Zëvendësshefi i Policisë, Alan Waddell, i tha komisionit se sekuestrimi i mjeteve, i vetëm, nuk e ndal këtë dukuri, për sa kohë ato mund të blihen lehtësisht në treg.
Kryeinspektori Scott McCarren vuri në dukje se personat që u konfiskohen mjetet mund të sigurojnë të tjera që të nesërmen. Ai tha se rregullimi i tregut është një çështje që duhet trajtuar.
Në shtator, Policia e Skocisë vendosi që mjetet e sekuestruara të shkatërrohen. Më herët, disa prej tyre nxirreshin në ankand dhe mund të përfundonin sërish në qarkullim.
Autoritetet kanë ngritur shqetësime edhe për drejtuesit që mbajnë maska ose mbulojnë fytyrën. Waddell deklaroi se duhen shqyrtuar kompetencat e policisë për t’ua hequr ato, por pranoi se një ndalim i përgjithshëm mund të ngrejë çështje të të drejtave të njeriut.
Ministrja skoceze për sigurinë në komunitet, Kirsten Oswald, kërkoi që policisë t’i zgjerohen kompetencat për të sekuestruar dhe mbajtur biçikletat e skuterët elektrikë të përdorur për veprimtari kriminale ose sjellje antisociale.





