Presidenti rus Vladimir Putin ka tërhequr vëmendjen gjatë vizitës së tij në Kinë, pasi kamerat kanë filmuar një pjesëtar të delegacionit presidencial duke mbajtur valixhen e komandës bërthamore ruse, të njohur si “Cheget”.
Pamjet e transmetuara nga mediat tregojnë një oficer me uniformë, i cili mban në dorë një çantë të zezë pranë automjeteve të delegacionit presidencial në Shenzhen.
Momenti që ka tërhequr vëmendjen është biseda mes një gazetari rus dhe oficerit që transportonte pajisjen. Gazetari i afrohet dhe e pyet drejtpërdrejt nëse bëhet fjalë për çantën e vërtetë bërthamore.
Gazetari: A është kjo çanta bërthamore? Ajo e vërteta?
Oficeri: Ajo e vërteta.
Përgjigjja e shkurtër e oficerit konfirmon se bëhet fjalë për pajisjen që shoqëron presidentin rus gjatë udhëtimeve zyrtare.
Çfarë është çanta bërthamore “Cheget”?
Çanta “Cheget” është pjesë e sistemit të komandës strategjike ruse “Kazbek”, i cili mundëson komunikimin mes presidentit dhe strukturave më të larta ushtarake në rast të një krize bërthamore.
Ndryshe nga perceptimi se bëhet fjalë për një pajisje me një buton që mund të aktivizojë menjëherë arsenalin bërthamor, “Cheget” shërben si terminal komunikimi i sigurt. Përmes saj, presidenti rus mund të marrë informacione strategjike dhe të komunikojë me komandën ushtarake për çështjet që lidhen me forcat bërthamore.
Prania e çantës pranë Putinit nuk është e pazakontë, pasi ajo e shoqëron presidentin gjatë udhëtimeve zyrtare, brenda dhe jashtë Rusisë, për të garantuar vazhdimësinë e komunikimit dhe komandës.
Ajo që e bën këtë rast të veçantë është ekspozimi i pajisjes para kamerave dhe konfirmimi i drejtpërdrejtë i autenticitetit të saj nga oficeri që e mbante.








Komente
Komento