Gazetari i Report Tv dhe kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, denoncoi kërcënimin dhe fyerjet nga dy deputetë socialistë, Agron Malaj dhe Brisejda Çakërri. Myzyraj thotë se ligjvënësi Agron Malaj kërcënuar teksa fotografonte sallën gjatë seancës për projektbuxhetin e vitit 2027.
Myzyraj shkruan se rreth orës 22:30 po bënte fotografi nga vendi i rezervuar për gazetarët për të treguar se, sipas tij, në sallë ishin të pranishëm më pak se 10% e deputetëve. Por në këtë moment, sipas tij, është përballur me fyerje dhe kërcënime nga Malaj dhe deputetja Çakërri.
“Deputetë gangsterë. Në sallën e Parlamentit të Shqipërisë kemi parë edhe grushte mes deputetëve, ndaj ky postim nuk është as i padëgjuar, as ndonjë çudi e madhe. Sot, rreth orës 22:30, po bëja fotografi nga vendi ku rrinë gazetarët në Kuvend, edhe për të treguar se në ditën më të rëndësishme të Parlamentit, kur vendoset buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, as 10% e deputetëve nuk ishin prezentë.
Krejt çuditërisht, deputeti Agron Malaj më drejtohet nga vendi i tij me një breshëri fyerjesh dhe kërcënimesh të drejtpërdrejta, pse filmoj, pse bëj foto. Në të njëjtën linjë, por jo me të njëjtin fjalor, edhe deputetja e PS-së, Brisejda Çakërri. Pikësëpari, asnjë prej deputetëve në fjalë nuk është dhe nuk ka qenë kurrë në fokusin tim, për vetë faktin se nuk kanë një jetë aktive parlamentare. Po e bëj këtë postim për të treguar se po, në Kuvendin e Shqipërisë dikush guxon të kërcënojë dhe të fyejë një gazetar”, shkruan Isa Myzyraj.
Denoncimi u bë pjesë e debatit në seancë, ku deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi që dy deputetëve të mazhorancës t’u tërhiqej vëmendja dhe gazetarët të lejoheshin të bënin punën e tyre.
Jorida Tabaku: Në këtë sallë jo gjithmonë reflektojmë më të mirën e mundshme. Fakti që dy deputetë të PS-së kanë kërcënuar kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve është niveli më i ulët që ka arritur ky Kuvend. Merrni masa t’u tërhiqet vëmendja dy deputetëve të mazhorancës dhe të lejohet media të kryejë punën e vet. Të sulmohen në sallën e Kuvendit është e pakonceptueshme.
Në përgjigje të saj, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, tha se e kishte telefonuar Myzyrajn dhe i kishte kërkuar një takim për të mësuar çfarë kishte ndodhur. Ai tha se, nëse dy deputetët kishin gabuar, do t’i kërkonin ndjesë gazetarit. Por deputetes demokrate i kujtoi edhe sulmet që Sali Berisha ka adresuar ndaj gazetarëve.
Taulant Balla: S’më pëlqen kur përdoren këto raste për servilizëm personal. Sepse duhet të jemi të drejtë dhe të sinqertë dhe të ruajmë standardin në çdo rast. E kam marrë gazetarin, i kam kërkuar takim dhe do të marr të gjithë informacionin. Nëse dy deputetët kanë bërë gabim, do t’i kërkojmë ndjesë. Ti do ta bindësh Berishën t’i kërkojë Klodiana Lalës të falur. Unë nesër do ta bëj këtë. Ti ruaj standardin me atë që i bëri Berisha Klodiana Lalës.












Komente
Komento