Mblidhet Kuvendi, deputetët rishqyrtojnë Ligjin për Specialen
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot, të enjten, ku në orën 10:00 do të vazhdojë seancën plenare të mbetur nga mbledhja e mëparshme, ndërsa në orën 11:00 është paraparë të mbahet seanca e radhës.
Në vazhdimin e seancës, do të shqyrtohet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i kthyer në Kuvend nga presidentja e Kosovës.
Ndërkaq, seanca e radhës, e paraparë të nisë në orën 11:00, ka gjithsej 11 pika të rendit të ditës.
Ndër to janë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027, Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe atij për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në rend dite janë edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-020 për Efiçiencë të energjisë,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-023 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,
7. Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,
8. Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës,
9. Zgjedhje e dy (2) anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,
10. Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër (4) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
11. Propozimi i GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.















