Sulmi kibernetik godet sistemet e Komisionit Evropian, frikë për rrjedhjen e të dhënave personale

19 Nëntor 2026 | 07:53

Sistemet e Komisionit Evropian kanë rënë pre e një sulmi të madh kibernetik, ndërsa problemet ende nuk janë zgjidhur plotësisht. Lajmi bëhet i ditur nga Politico, i cili thekson se incidenti mund të ketë vënë në rrezik një numër të madh të dhënash personale, ka lënë punonjësit pa mundësi për të regjistruar të dhënat e pagave dhe kërkesat për leje, si dhe ka detyruar zyrtarët më të lartë të Komisionit të diskutojnë krizën gjatë mbledhjes së tyre javore, të zhvilluar të mërkurën.

“Komisioni vlerëson se ka arritur të kufizojë pjesën më të madhe të sulmit, megjithatë përmasat e plota të dëmeve mbeten ende të paqarta”, deklaroi për Playbook një zyrtar i Bashkimit Evropian.

“Sistemet mund të rikthehen gradualisht në funksion. Megjithatë, përgjigjet po vonojnë pak më shumë”, shtoi ai.

Sipas raportimit të Politico, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerë ndërkombëtarë kishin përdorur ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale, i disponueshëm publikisht, i cili është krijuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.

Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht.

“Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmesh kibernetike që u identifikua. U shënjestruan sisteme të veçanta dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, njoftuam personat e prekur”, deklaroi për Playbook zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier.

Sipas Politico, pasojat e sulmit kibernetik kanë shkaktuar probleme prej më shumë se 10 ditësh. Ndër sistemet e prekura ishin Sysper, platforma e burimeve njerëzore të Komisionit, e cila përdoret për fletëpagesat, kërkesat për leje dhe regjistrimin e orëve të punës, si dhe MyPMO, sistemi për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.

Megjithëse të dyja sistemet u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi sërish një ndërprerje të përkohshme të mërkurën.

Sipas një emaili të brendshëm, të siguruar nga Playbook, Komisioni Evropian mblodhi në fillim të këtij muaji organin e tij më të lartë të brendshëm për menaxhimin e krizave, Bordin e Menaxhimit të Korporatës në një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me “incidentet e vazhdueshme të sulmeve kibernetike”.

Gjatë kësaj mbledhjeje, shërbimi i shërbimeve dixhitale dha udhëzime për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë.

Ndërkohë, komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, informoi kolegët e saj gjatë mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve, të zhvilluar të mërkurën, mbi masat e menjëhershme për përballimin e krizës.

Sulmi kibernetik ndaj Komisionit Evropian i shtohet një serie incidentesh të ngjashme të ndodhura në nivel ndërkombëtar, si problemet që kanë prekur Microsoft-in, bankat e mëdha amerikane dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), si dhe sulmi kibernetik që vuri në shënjestër faqe të njohura interneti, si ato të Air France, BBC-së dhe Zoom-it.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Musk pendohet për gati gjysmë miliardi dollarë të shpenzuara në zgjedhjet e mesmandatit: Ndihem shumë budalla

Miliarderi ultrakonservator Elon Musk pranoi të mërkurën, se “ndihet shumë budalla” që shpenzoi gati gjysmë miliardi dollarë për të financuar fushatat e kandidatëve republikanë në...
07:45 | 19/11/2026

Trump vlerëson pritjen madhështore nga Xi Jinping dhe zbulon detaje nga takimi me Putinin përpara bisedimeve trepalëshe

Presidenti i SHBA-së Donald Trump e vlerësoi pritjen bujare që udhëheqësi kinez Xi Jinping i bëri atij si një “fitore të madhe” të enjten, përpara...
07:35 | 19/11/2026

Tenisti i famshëm Alexander Zverev paditet për dhunë nga ish-partnerja e tij gjatë turneut ATP Finals

Alexander Zverev u njoftua zyrtarisht për një padi të ngritur nga ish-partnerja e tij gjatë mesit të finaleve të ATP-së, të mërkurën. Padia e fundit...
06:29 | 19/11/2026