Një grup shkencëtarësh ka gjetur një plekopter në ishullin Navarino, në skajin jugor të Patagonisë kiliane, pranë Kepit Horn. Aty mbetjet e fundit të një akullnaje po tërhiqen dhe po zbulojnë një peizazh në transformim të vazhdueshëm. Zbulimi është përshkruar në një studim të botuar në nëntor 2026 në revistën shkencore “Ecology”.
Studimi analizon humbjen e akullit në këtë zonë dhe dokumenton praninë e insektit, shkruan Euronews. Bëhet fjalë për një plekopter, një lloj insekti i lidhur ngushtë me ekosistemet e ujërave të ëmbla. Ai i përket familjes Gripopterygidae, e pranishme në rajone të ndryshme të hemisferës jugore.
Sipas studimit, hulumtuesit nuk kanë arritur ta përputhin insektin me asnjë specie të njohur. Kjo ngre mundësinë që ai të jetë një specie e re insekti ende e përshkruar nga shkenca. Megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për ta konfirmuar këtë.
Zbulimi u bë pranë mbetjeve të një akullnaje në ishullin Navarino, në arkipelagun e Tierra del Fuego. Një zonë ku humbja e akullit po ndryshon kushtet mjedisore. Akullnajat nuk janë vetëm pjesë e peizazhit: uji i shkrirë prej tyre ushqen ekosistemet përreth dhe krijon kushte të veçanta për shumë organizma.
Kur akulli zhduket, edhe këto mjedise ndryshojnë. Për momentin nuk dihet nëse insekti jeton vetëm në këtë zonë apo është i pranishëm edhe në pjesë të tjera të Patagonisë. Studimi nuk ka përcaktuar as statusin e tij të ruajtjes.
Studimi, me titull “Rapid ice loss and a rare stonefly from Chile’s southernmost glacier remnants” (“Rápida pérdida de hielo y un extraño plecóptero en los últimos vestigios glaciares del extremo sur de Chile”, në spanjisht), është udhëhequr nga Javier Rendoll-Cárcamo. Ai përfshin shkencëtarë të lidhur me institucione si Universiteti i Magallanes, Universiteti i Barcelonës dhe British Antarctic Survey.
