Një sulm i fuqishëm kibernetik ka vënë në shënjestër Komisionin Evropian, duke paralizuar për disa ditë një pjesë të sistemeve të tij digjitale dhe duke ngritur shqetësime për ekspozimin e të dhënave personale të punonjësve. Incidenti ka zgjatur më shumë se 10 ditë, ndërsa autoritetet evropiane ende nuk kanë përcaktuar plotësisht përmasat e dëmit dhe nëse hakerat kanë arritur të sigurojnë informacione konfidenciale.
Sipas raportimit të “Politico”, sulmi ka prekur disa prej platformave të brendshme që përdoren nga administrata e Komisionit për çështje të përditshme, si administrimi i pagave, kërkesat për leje dhe rimbursimet e shpenzimeve mjekësore.
Mes sistemeve të prekura janë Sysper dhe MyPMO. Edhe pse të dyja platformat u rikthyen në funksion në fillim të kësaj jave, Sysper pësoi një tjetër ndërprerje të përkohshme ditën e mërkurë. Një zyrtar i BE-së bëri të ditur se pjesa më e madhe e sulmit është vënë nën kontroll, por hetimet për të përcaktuar shkallën e plotë të kompromentimit vijojnë.
Sipas të njëjtave raportime, shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve evropiane, CERT-EU, zbuloi se hakerat kishin përdorur ARTEX, një mjet i inteligjencës artificiale i disponueshëm publikisht, i krijuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.
Pas zbulimit të aktivitetit të dyshimtë, Komisioni mori masa mbrojtëse dhe çaktivizoi përkohësisht disa aplikacione. Zëdhënësi i institucionit, Thomas Rainier, konfirmoi se sistemet e veçanta ishin vënë në shënjestër dhe se personat e prekur ishin informuar në përputhje me procedurat e sigurisë.
Për shkak të situatës, Komisioni Evropian thirri një mbledhje urgjente të organit të tij më të lartë të menaxhimit të krizave, ndërsa departamenti përgjegjës për shërbimet digjitale urdhëroi shtimin e kontrolleve të sigurisë.
Çështja u diskutua edhe në mbledhjen e Kolegjit të Komisionerëve, ku komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, informoi kolegët mbi masat e marra për përballimin e incidentit. Sulmi vjen në një periudhë kur sulmet kibernetike po prekin gjithnjë e më shumë institucione publike dhe kompani të mëdha ndërkombëtare, mes tyre Microsoft, banka amerikane, NSA, Air France dhe Zoom.









