Detaje nga takimi Trump-Putin në Kinë, vetëm një kamerë u lejua në sallë Presidenti amerikan, Donald Trump, vijon të shqyrtojë mundësinë e një ndërhyrjeje të përbashkët ushtarake me Izraelin kundër Iranit.
Sipas dy burimeve të cituara nga Axios, në tryezë janë disa skenarë sulmesh, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po ushtron presion për nisjen e një fushate bombardimesh që do të zgjaste shtatë ditë.
Sipas raportimit të New York Times, Netanyahu po kërkon që operacioni ushtarak të realizohet sa më shpejt. Ndërkohë, Axios shkruan se një ndërhyrje e mundshme amerikane mund të përfshijë goditjen e objekteve të dyshuara bërthamore iraniane, përfshirë kompleksin në Pickaxe Mountain.
Në objektivat e mundshëm mund të përfshihen gjithashtu ura, termocentrale, si dhe figura të larta të udhëheqjes ushtarake dhe politike të Iranit.
Megjithatë, Trump ka lënë të kuptohet se një sulm nuk është i afërt. Të mërkurën, ai deklaroi se vendimi do të shihet pas Vitit të Ri, duke iu referuar datës 1 janar dhe zhvillimeve të mëtejshme.
Presioni ndaj Trump nga Izraeli dhe vendet e Gjirit
Sipas Axios, presidenti amerikan po përballet me qëndrime të kundërta lidhur me mundësinë e rikthimit në një luftë të hapur me Iranin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po i kërkon Trumpit të rifillojë sa më shpejt operacionet ushtarake. Sipas raportimit, Netanyahu po përpiqet ta bindë presidentin amerikan për nevojën e një fushate të re ushtarake, ndërsa përballet edhe me sfida për mbijetesën e tij politike.
Në anën tjetër, udhëheqësit e vendeve të Gjirit Persik po i kërkojnë Uashingtonit të shmangë një përshkallëzim të ri. Ata druhen se Irani mund të kundërpërgjigjet duke goditur objektet e naftës dhe infrastrukturën energjetike në rajon. Për këtë arsye, ata favorizojnë vazhdimin e presionit ekonomik ndaj Teheranit në vend të një ndërhyrjeje ushtarake.
Edhe brenda ekipit të sigurisë kombëtare të Trumpit ka ndarje për këtë çështje. Disa zyrtarë, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, thuhet se mbështesin një qasje më agresive ushtarake.
Pentagoni vlerëson skenarët e sulmit, në Uashington ishte edhe shefi i Mossadit
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë u ka kërkuar Pentagonit dhe ekspertëve të inteligjencës të analizojnë skenarët e mundshëm të sulmit dhe mënyrën se si Irani mund të reagojë ndaj secilit prej tyre.
Një nga shqetësimet kryesore të administratës amerikane është shmangia e një kundërpërgjigjeje shkatërruese nga Teherani, veçanërisht ndaj objekteve të naftës dhe infrastrukturës energjetike në vendet e Gjirit.
Në këtë kontekst, Axios rikujton edhe vizitën e javës së kaluar në Uashington të drejtorit të Mossadit, Roman Goffman, i cili zhvilloi takime me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, dhe të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.
Sipas një burimi izraelit, Goffman, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Netanyahut, u dërgua në kryeqytetin amerikan për të ushtruar presion në favor të rifillimit të luftës kundër Iranit.
Gjatë takimeve, ai përcolli gjithashtu shqetësimet e Izraelit lidhur me aktivitetet iraniane që dyshohet se kanë të bëjnë me zhvillimin e armëve kimike, çështje që u ngritën sipas burimeve amerikane dhe izraelite.
Për momentin, Trump nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa administrata amerikane vijon të peshojë pasojat e mundshme të një ndërhyrjeje të re ushtarake në rajon.
Top Channel