Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk thotë se ndihet ‘budalla’ që dhuroi gati 500 milionë dollarë për republikanët


Elon Musk ka deklaruar se ndihet “mjaft budalla” që dhuroi pothuajse 500 milionë dollarë për republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA dhe ka mohuar se është pjesë e lëvizjes politike MAGA të presidentit Donald Trump.

Deklaratat e Musk, të bëra të mërkurën në Samitin DealBook të The New York Times, përbëjnë një ndryshim të menjëhershëm qëndrimi për drejtuesin ekzekutiv të SpaceX, i cili më parë e kishte cilësuar veten si “mikun e parë” të Trump dhe kishte drejtuar Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE).

“Është e qartë se republikanët pësuan një humbje të thellë në këto zgjedhje. Ndihem mjaft budalla që kam shpenzuar kaq shumë para dhe nuk kam përfituar pothuajse asgjë prej tyre. Ndoshta, pa këtë shpenzim, rezultati do të kishte qenë edhe më i keq”, tha Musk.

Miliarderi shpenzoi më shumë se 470 milionë dollarë për fushatat zgjedhore në të gjithë SHBA-në, përpara zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat Partia Republikane humbi kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe disa parlamenteve shtetërore.

“Unë nuk jam pjesë e MAGA-s. Të paktën, nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë MAGA. Nëse kjo nënkupton një bindje të verbër ndaj një grupi politikash të Partisë Republikane, atëherë sigurisht që nuk jam i tillë”, shtoi Musk.

Musk është drejtuesi i fundit i një kompanie të madhe teknologjike që po distancohet nga Trump, pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e nëntorit, të cilët pritet të marrin shumicën në janar.

Demokratët po zotohen të përdorin kompetencat e tyre për të detyruar drejtuesit e kompanive të Silicon Valley të dëshmojnë nën betim për kontratat me qeverinë. Ata synojnë gjithashtu të nxisin miratimin e ligjeve që do të ngadalësonin ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe do të vendosnin rregulla më të rrepta për inteligjencën artificiale (IA).

Elon Musk pritet të jetë një nga objektivat e tyre, pasi ai drejtoi përpjekjet e administratës Trump për të ristrukturuar administratën federale përmes Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE). Në vitin 2024, ai dhuroi më shumë se 250 milionë dollarë për fushatën presidenciale të Trump.

Ndër veprimet e tij më të bujshme në mbështetje të lëvizjes MAGA ishte shfaqja me një kapele të zezë të personalizuar me mbishkrimin “Make America Great Again” dhe mbajtja e një sharrë elektrike në skenë gjatë Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC) në vitin 2025, ndërsa kërkonte shkurtimin e mijëra vendeve të punës në administratën shtetërore.

Kjo nuk është hera e parë që Musk dhe Trump kanë pasur mosmarrëveshje. Vitin e kaluar, ata u përplasën për buxhetin federal, subvencionet për automjetet elektrike dhe dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein. Megjithatë, të dy janë pajtuar që atëherë, ndërsa Musk ka marrë pjesë këtë vit në vizita shtetërore dhe darka me Trump.

Goditjet më të dukshme për Musk gjatë zgjedhjeve të mesmandatit erdhën në Teksas, shtetin ku ai ka vendosur selinë e kompanive të tij. Musk kishte zhvendosur regjistrimin e SpaceX dhe Tesla-s në këtë shtet, duke synuar të mbështeste zgjedhjen e ligjvënësve dhe gjyqtarëve që favorizojnë biznesin.

Megjithatë, Teksasi zgjodhi Gina Hinojosa si guvernatoren e parë demokrate pas 36 vitesh. Ajo ka premtuar të hetojë marrëdhëniet e Musk me paraardhësin e saj, si dhe të shqyrtojë planet e tij për ndërtimin e komplekseve të reja të lëshimit të raketave dhe qendrave gjigante të të dhënave për inteligjencën artificiale.

James Talarico gjithashtu mposhti bindshëm Ken Paxtonin, duke u siguruar demokratëve fitoren e tyre të parë në zgjedhjet për Senatin në këtë shtet prej më shumë se tre dekadash.

“Kjo tregon qartë se zgjedhjet në Amerikë nuk varen vetëm nga paratë”, tha Musk. “Nëse do të mund ta ktheja kohën pas, do të kisha shpenzuar më pak.”

Drejtuesi ekzekutiv i Palantir, Alex Karp, një prej donatorëve të kahershëm të Partisë Demokratike, i cili u distancua nga partia për shkak të qëndrimeve të saj ndaj emigracionit dhe asaj që cilësohet si “woke”, është një tjetër drejtues i teknologjisë që ka nisur të rikthejë në vëmendje bindjet e tij progresiste.

“Unë di më shumë për të qenit progresist se pothuajse kushdo tjetër në planet”, tha Karp në një intervistë të fundit për Politico. “Unë besoj plotësisht se Palantir dhe të gjitha produktet tona janë, në thelb, progresiste.”

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e FT