Antonio Conte ka rikthyer emocionet te tifozët e Juventusit, duke lënë të kuptohet se historia e tij me klubin bardhezi mund të mos ketë përfunduar përfundimisht. Ish-trajneri dhe kapiteni i Juventusit ka folur hapur për dëshirën për t’u rikthyer një ditë në Torino, duke iu referuar largimit të tij në verën e vitit 2014.
“Herët a vonë duhet ta mbyllim atë rreth. Nuk e di nëse do të ndodhë pas një, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh, por e di që kam lënë diçka te Juventusi”, u shpreh Conte.
Deklarata e teknikut italian ka rikthyer menjëherë diskutimet për një rikthim të mundshëm të tij në stolin e skuadrës torineze. Conte aktualisht është pa angazhim, pasi ka refuzuar edhe disa alternativa të tjera, mes tyre mundësinë për të marrë drejtimin e Manchester United.
Megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet në duart e drejtuesve të Juventusit, të cilët deri më tani kanë zgjedhur të vazhdojnë bashkëpunimin me Luciano Spallettin, duke synuar të shmangin një tjetër ndryshim në pankinë gjatë një periudhe delikate të sezonit.
Në kampin bardhezi, drejtuesit dhe pronarët e klubit kanë shprehur vazhdimisht besimin te Spalletti. Një nga arsyet kryesore është dëshira për të shmangur ndryshimin e katërt të trajnerit brenda katër viteve, në një periudhë kur skuadra ka vuajtur nga mungesa e vazhdimësisë.
Pavarësisht kësaj, emri i Antonio Contes vazhdon të ketë një peshë të veçantë te tifozët dhe mbetet një mundësi që mund të diskutohet në të ardhmen. Në rast se Juventusi vendos të rishikojë projektin teknik në fund të sezonit, do të merren parasysh rezultatet e Spallettit, por edhe alternativa të tjera që pëlqehen nga drejtuesit, mes tyre Simone Inzaghi.
