Gazetari Isa Myzyraj ka denoncuar një incident të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kuvend, pasi deklaron se është fyer dhe kërcënuar nga deputetët socialist Agron Malaj dhe Brisejda Çakërri teksa po fotografonte ngjarjet në sallën e Parlamentit.
Në një postim në rrjetet sociale, Myzyraj tregon se rreth orës 22:30 po realizonte fotografi nga vendi i gazetarëve, me qëllim që të dokumentonte praninë e ulët të deputetëve gjatë seancës ku po diskutohej dhe votohej buxheti i shtetit për vitin 2027.
Sipas gazetarit, në atë moment deputeti Agron Malaj i është drejtuar nga vendi i tij me një sërë fyerjesh dhe kërcënimesh të drejtpërdrejta.
Sipas tij, në të njëjtën linjë, por me një gjuhë të ndryshme është përfshirë edhe deputetja socialiste Brisejda Çakërri.Gazetari thekson me ironi se asnjëri prej dy deputetëve nuk ka qenë në fokusin e punës së tij, pasi nuk kanë një aktivitet të spikatur parlamentar.
“Deputetë gangsterë
Në Sallën e Parlamentit të Shqipërisë kemi parë edhe grushte mes deputetëve ndaj ky postim nuk është as i padëgjuar as ndonjë çudi e madhe.
Sot rreth orës 22:30 po bëja fotografi nga vendi ku rrinë gazetarët në kuvend, edhe për të treguar se në ditën më të rëndësishme të parlamentit kur vendoset buxheti i shtetit në vitin e ardhëm as 10% e deputetëve nuk ishin prezentë.
Krejt çuditërisht deputeti Agron Malaj më drejtohet nga vendi i tij me një breshëri fyerjesh dhe kërcënimesh të drejtëpërdrejta, pse filmoj, pse bëj foto.
Në të njëjtën linjë por jo në të njëjtën fjalor edhe deputetja e PS Brisejda Çakërri.
Pikë së pari asnjë prej deputetëve në fjalë nuk është dhe nuk ka qenë kurrë më fokusin tim, për vetë faktin se nuk kanë një jetë aktive parlamentare.
Po e bëj këtë postim për të treguar se po, në kuvendin e Shqipërisë dikush guxon të kërcënojë dhe të fyejë një gazetar”, shkruan gazetari.












