Irani po shqyrton reformimin e sistemit të subvencioneve të energjisë, në një kohë kur lufta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, si dhe bllokada detare amerikane, po thellojnë vështirësitë ekonomike të vendit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka kërkuar t’i jepet fund përfitimit abuziv nga çmimet jashtëzakonisht të ulëta të karburantit, të cilat subvencionohen nga shteti. Ai theksoi se bizneset dhe individët që përfitojnë nga ky sistem po shfrytëzojnë burimet publike, ndërkohë që një pjesë e madhe e popullsisë po përballet me vështirësi serioze financiare.
Gjatë një takimi për menaxhimin e konsumit të energjisë, Pezeshkian kritikoi trajtimin preferencial për disa kategori biznesesh dhe individësh.
“Ne duhet t’i ndalojmë ata që përfitojnë nga trajtimi preferencial. Disa po shfrytëzojnë të drejtat e të gjithëve të tjerëve. Jepini fund kësaj”, deklaroi presidenti iranian.
Për të ilustruar abuzimet me sistemin e subvencioneve, ai përmendi kompanitë e serrave, të cilat blejnë naftë me vetëm 300 tomanë për litër, rreth 0.0011 dollarë, ndërsa më pas shesin produktet e tyre me çmime që arrijnë deri në katër dollarë për kilogram.
Pezeshkian kërkoi që fondet e kursyera nga rishikimi i subvencioneve të përdoren për të mbështetur familjet më të varfra.
“Edhe një ndihmë e vogël financiare është e rëndësishme për një familje që detyrohet të marrë hua para për të blerë bukë”, u shpreh ai.
Nisma e qeverisë vjen në një periudhë të vështirë për ekonominë iraniane. Bllokada detare amerikane ka kufizuar ndjeshëm eksportet e naftës, duke goditur një nga burimet kryesore të të ardhurave të shtetit.
Situata rëndohet edhe nga dëmtimet në infrastrukturën energjetike gjatë operacioneve ushtarake dhe mungesat kronike të karburantit, të cilat e bëjnë gjithnjë e më të vështirë financimin e sistemit të subvencioneve.
Përballë kësaj situate, qeveria po shqyrton kufizimin e subvencioneve dhe orientimin e një pjese më të madhe të ndihmës financiare drejt familjeve në nevojë.
Megjithatë, një vendim i tillë mbart rreziqe të konsiderueshme, pasi rritja e mundshme e çmimeve të karburantit mund të përkeqësojë më tej koston e jetesës.
Inflacioni i lartë dhe rënia e fuqisë blerëse kanë shtuar presionin mbi qytetarët iranianë, duke e kthyer reformimin e subvencioneve në një sfidë të vështirë politike dhe ekonomike për qeverinë e Pezeshkianit.
