Surprizon kolegët live në emision, moderatorja 59-vjeçare zbulon se është shtatzënë me fëmijën e tretë

19/11/2026 09:27

Dr. Renee Hoenderkamp, prezantuese e televizionit GB News dhe mjeke e përgjithshme në Sistemin Shëndetësor Kombëtar britanik, ka njoftuar drejtpërdrejt në emision se është shtatzënë në moshën 59-vjeçare dhe pret fëmijën e saj të tretë.

Prezantuesja bëri të ditur se ndodhet në javën e 12 të shtatzënisë. Ajo është nënë e Calum, 37 vjeç, dhe Alice, 8 vjeçe. Gjatë emisionit, ajo zbuloi lajmin për kolegët e saj, të cilët nuk kishin dijeni për shtatzëninë.

“Jam nënë e një djali të rritur dhe e një vajze shumë të vogël. Sot kam diçka për t’u njoftuar kolegëve të mi në panel, diçka që nuk e dinë as ata dhe as askush tjetër: së shpejti do të bëhem nënë e tre fëmijëve”, deklaroi ajo.

Hoenderkamp tregoi se shtatzënia u bë e mundur përmes fekondimit in vitro (IVF), duke përdorur vezë që kishte ngrirë kur ishte më e re. Për shkak të moshës, ajo u detyrua t’i drejtohej mjekëve në Poloni, pasi, sipas saj, asnjë mjek në Britani nuk pranoi ta ndiqte për këtë procedurë.

“Nuk do të pretendoj se rrugëtimi ishte i lehtë, sepse nuk ishte. U deshën tri përpjekje”, rrëfeu prezantuesja.

Pas publikimit të lajmit, ajo u përball edhe me kritika nga persona që e konsideruan vendimin e saj për t’u bërë nënë në këtë moshë si egoist. Megjithatë, Hoenderkamp iu përgjigj kritikëve duke theksuar se sot ndihet shumë më e përgatitur për mëmësinë sesa kur ishte më e re.

Në një postim në platformën X, më 15 nëntor, ajo falënderoi të gjithë ata që i kishin dërguar mesazhe urimi për vajzën që pret.

“Dua t’u them një faleminderit të madh të gjithëve që më kanë dërguar mijëra mesazhe për të më uruar për vajzën që pres! Sa për të tjerët, nuk më intereson se çfarë mendoni”, shkroi ajo.

Në artikujt e publikuar më 17 nëntor në Daily Mail dhe GB News, prezantuesja foli më gjatë për vendimin e saj dhe reagimet e publikut. Ajo zbuloi se fëmijën e parë e kishte sjellë në jetë në moshën 21-vjeçare, ndërsa të dytin në moshën 51-vjeçare.

“E di që kam qenë një nënë më e mirë në të 50-at sesa kur isha 21 vjeçe”, shkroi ajo.

Sipas saj, mosha, përvoja, durimi dhe stabiliteti financiar janë faktorë që mund ta ndihmojnë një person të jetë prind më i mirë. Ajo i cilësoi reagimet negative si interesante, duke treguar se krahas urimeve kishte marrë edhe komente fyese, ku vendimi i saj përshkruhej si “i neveritshëm”, “i pështirë”, “egoist” dhe “i gabuar”.

Hoenderkamp argumentoi se kritikat ndaj grave që bëhen nëna në moshë të madhe janë të lidhura kryesisht me numrin e viteve të shënuara në certifikatën e lindjes.

Ajo vuri në dukje edhe një tjetër aspekt: babai i fëmijës është aktualisht 66 vjeç, por, sipas saj, pothuajse askush nuk e ka komentuar moshën e tij.

“Shoqëria rrallë reagon kur burrat bëhen baballarë në moshën 70 apo 80 vjeç. Është e vështirë të mos vëresh këtë standard të dyfishtë”, u shpreh ajo.

Prezantuesja shtoi se partneri i saj, falë fazës së jetës në të cilën ndodhet, mund të jetë një baba i pranishëm në përditshmërinë e fëmijës dhe jo vetëm personi që siguron të ardhurat e familjes.

Top Channel