Samiti i shumëpritur trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin ka nisur në Shenzhen të Kinës, në kuadër të takimit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Sipas raportimeve të mediave shtetërore kineze, takimi po zhvillohet nën drejtimin e Xi Jinping, i cili është edhe mikpritës i këtij takimi diplomatik.

Përpara takimit të përbashkët, Trump zhvilloi takime të ndara me dy liderët, ku në fokus ishin lufta në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Sipas mediave shtetërore ruse, takimi 40-minutësh mes Trump dhe Putinit u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive. Gjatë bisedimeve u diskutua edhe situata e luftës në Ukrainë.

Nga ana tjetër, presidenti kinez Xi Jinping shprehu angazhimin për të punuar me Shtetet e Bashkuara, me synimin që marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë në një drejtim të qëndrueshëm.

Presidenti amerikan, ndërkohë, iu referua Xi Jinping si “mik”, një cilësim që më herët kishte përdorur edhe për presidentin rus Vladimir Putin.

Takimi në Shenzhen po tërheq vëmendjen ndërkombëtare për shkak të rëndësisë së marrëdhënieve mes tri fuqive të mëdha dhe ndikimit që diskutimet e tyre mund të kenë në zhvillimet globale, veçanërisht në sigurinë ndërkombëtare, tregtinë dhe konfliktin në Ukrainë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb