Elton Qyno Syri.net/
Paralelisht me padinë gjyqësore të depozituar në Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, të cilët janë futur në konflikt me qeverinë për rritjen e pagës mujore, tashmë një padi e re që ka si qëllim rritjen e pagës është regjistruar në Kushtetuese.
Këtë herë paditës janë 6 ish-gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit “Vettingut”, që kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të detyrojë qeverinë shqiptare, të pranojë rritjen e pagës së tyre mujore.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se padia në Kushtetuese është regjistruar në datën 5 nëntor 2026 dhe relatore e çështjes, është gjyqtarja, Marsida Xhaferllari.
Ndërsa paditës rezultojnë të jenë ish-vettingasit Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.
Sipas objektit të padisë 6 paditësit kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të bashkojë padinë e tyre me shqyrtim të përbashkët me çështjen e iniciuar me kërkesën e datës 21 shtator 2026 të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve kundër ligjit nr. 95/2026, për të cilën është caktuar seanca publike e datës 2 dhjetor 2026.
Në padi kërkohet: “…shqyrtimi me përparësi i ankimit me objektin si më sipër, referuar në pikat 1 dhe 2…”.
Më tej në kërkesëpadinë e vettingasve njëherësh kërkohet shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 2 të ligjit nr. 95/2026 (neni 12/1 i shtuar në ligjin nr. 96/2016), në pjesën që përjashton nga efektet e ndryshimit të pagës referuese bazë gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të cilët gjatë mandatit gëzonin statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 3 të ligjit nr. 95/2026, në pjesën që nuk ua shtrin efektet financiare nga data 01.04.2023 pagave të gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për periudhën e ushtrimit të mandatit të tyre.
Kujtojmë se lidhur me çështjen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, SPAK ka hapur një hetim ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit, pasi gjatë muajit shtator 2026 vendosën bllokimin e rrogave mujore të administratës gjyqësore dhe civile që shërbejnë pranë prokurorive dhe gjykatave.
© SYRI.net
Drejtësia vazhdon të përkeqësohet/ Shqipëria humbet 4 vende në renditjen botërore
Diaspora shqiptare ngre alarmin në Berlin, 3 kërkesa Bundestagut për protestat kundër Ramës
Eksodi i trurit nis nga universitetet: Shqipëria rekord në rajon për numrin e studentëve që zgjedhin të ardhmen jashtë vendit