Takimi historik SHBA-Kinë-Rusi/ Xi: Fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi të veçanta. Trump: Po bëjmë histori. Putin: Duhet të forcojmë paqen
Ka nisur takimi historik trepalësh mes presidentit kinez Xi Jinping, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Për herë të parë në histori, tre udhëheqësit e këtyre fuqive të mëdha janë ulur së bashku në një takim privat, ku në fokus janë çështjet më të rëndësishme të politikës dhe sigurisë ndërkombëtare.
Takimin e hapi presidenti kinez Xi Jinping, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme. Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, Xi theksoi se tre vendet duhet të bashkëpunojnë për të përballuar sfidat globale.
“Ne duhet të mësojmë nga historia. Vështirësitë zbulojnë përgjegjësinë e vërtetë”, deklaroi Xi, sipas Reuters.
Gjatë fjalës së tij, presidenti kinez nënvizoi se bota nuk mund të shihet më si një grup vendesh të shkëputura nga njëri-tjetri, pasi zhvillimet në një pjesë të globit ndikojnë drejtpërdrejt te pjesa tjetër.
“Bota sot nuk është më një koleksion ishujsh të izoluar. Njerëzimi jeton në një ‘fshat global’ të vetëm, ku fatet e të gjithëve janë të ndërlidhura”, u shpreh Xi. Ai shtoi se fuqitë e mëdha kanë një përgjegjësi të veçantë në ruajtjen e stabilitetit ndërkombëtar.
“Fuqitë e mëdha mbajnë përgjegjësi të veçanta në këtë ‘fshat global”, theksoi presidenti kinez. Xi foli gjithashtu për vizionin e Kinës mbi marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, duke përmendur nevojën për bashkëjetesë paqësore, stabilitet dhe zhvillim të ekuilibruar. Ai u bëri thirrje Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të japin shembull për pjesën tjetër të botës, duke bashkëpunuar për përballimin e sfidave globale dhe lehtësimin e paqes e stabilitetit.
Trump: Po bëjmë vërtet histori
Nga ana e tij, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi Xi Jinping për mikpritjen në Kinë, duke e cilësuar një nder pjesëmarrjen në këtë takim. Trump përgëzoi gjithashtu homologun kinez për organizimin e samitit të APEC-ut, të cilin e konsideroi shumë të suksesshëm. Ai u shpreh i kënaqur që ishte pjesë e takimit të parë trepalësh mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, duke e cilësuar atë një moment historik.
“Jam i kënaqur që më është dhënë kjo mundësi. Ne po bëjmë vërtet histori”, deklaroi Trump.
Putin: Rusia, Kina dhe SHBA-ja kanë përgjegjësi për paqen ndërkombëtare
Edhe presidenti rus Vladimir Putin theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes tre fuqive, duke deklaruar se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit global përmes një bashkëpunimi konstruktiv.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, Putin u shpreh se tre vendet kanë një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e rendit ndërkombëtar, edhe për shkak të rolit të tyre si anëtarë themelues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se detyra e forcimit të sistemit të së drejtës ndërkombëtare u takon pikërisht këtyre tri fuqive.
Putin vuri në dukje gjithashtu se Moska, Pekini dhe Uashingtoni ndajnë interesa të përbashkëta për zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë luftën në Ukrainë.
Duke iu referuar diskutimeve gjatë samitit të APEC-ut, presidenti rus tha se konfliktit ukrainas iu kushtua një vëmendje e konsiderueshme, me iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas tij, të tre vendet kanë interes të përbashkët për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë konflikt.
Putin theksoi se në bisedimet mes tre liderëve duhet të përfshihen edhe çështjet globale e rajonale, si dhe siguria energjetike.
Ai rikujtoi se Rusia, Kina dhe SHBA-ja janë të bashkuara jo vetëm nga statusi i vendeve fituese në Luftën e Dytë Botërore, por edhe nga përgjegjësia për ruajtjen e paqes ndërkombëtare.
Ukraina, Irani dhe inteligjenca artificiale në tryezën e bisedimeve
Në tryezën e diskutimeve janë një sërë çështjesh me rëndësi strategjike, duke nisur nga marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, deri te luftërat në Ukrainë dhe Iran. Vëmendja kryesore është përqendruar te mundësia e një koordinimi mes tre fuqive për çështjet më të ndjeshme të sigurisë globale, veçanërisht lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme. Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për raportet mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




