Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Bota po përballet, me gjasë, me mjedisin më sfidues të sigurisë që nga viti 1945. Nuk është çudi që pritshmëritë janë të larta për samitin trepalësh të udhëheqësve të Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.


Nuk janë vetëm luftërat në Ukrainë dhe Iran ato që do të zënë vend të rëndësishëm në diskutimet mes Xi Jinpingut, Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit në qytetin kinez Shenzhen. Nevoja për një bisedë serioze mbi çështjen jetike të çarmatimit bërthamor nuk ka qenë kurrë më e madhe - duke pasur parasysh prirjen e Putinit për të kërcënuar me sulme bërthamore sa herë që mendon se ofensiva ushtarake e Rusisë në Ukrainë nuk po shkon sipas planit.

Vetëm për këtë arsye, duhet të shpresojmë që bisedimet trepalëshe ta arrijnë synimin e Kremlinit për të qenë një “ngjarje që ndal gjithçka”, një ngjarje që kërkon t’i zbusë tensionet globale në vend që t’i përkeqësojë ato. Megjithatë, gjasat që samiti ta arrijë synimin e shpallur për të çuar përpara një botë multipolare do të ishin shumë më të mëdha nëse diskutimet nuk do të kufizoheshin thjesht në një grup të vogël ad hoc të burrave të fuqishëm, secili prej të cilëve ka agjenda shumë të ndryshme personale.

Teksa përparësia kryesore për Xiun dhe Trumpin është zgjidhja e mosmarrëveshjes së tyre të kahershme tregtare, udhëheqësi amerikan gjithashtu do të shpresojë se takimi i tij i parë ballë për ballë me Putinin - që nga samiti i tyre i dështuar në Alaskë vitin e kaluar - do të ndihmojë në realizimin e përpjekjes së tij të kahershme për një armëpushim në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Xiu dhe Putini po kërkojnë t’i forcojnë lidhjet e tyre dypalëshe duke krijuar lidhje më të ngushta ushtarake, veçanërisht në fushën e prodhimit të mbrojtjes.

Mbetet për t’u parë se si objektivat shumë specifikë mund të ndihmojnë në nxitjen e një bote multipolare. Por, perspektivat për të bërë përparim të vërtetë në përpjekjet për të vendosur stabilitet global do të përmirësoheshin shumë nga pjesëmarrja e fuqive të tjera në proces - jo më pak e evropianëve.

Teksa krahasimet janë bërë në mënyrë të pashmangshme mes bisedimeve të kësaj jave në Shenzhen dhe Konferencës së Jaltës nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka disa dallime të dukshme mes dy ngjarjeve. Jalta - të paktën në letër - ishte samit i Aleatëve dhe evropianët, në figurën bulldog të Winston Churchillit, luajtën rol mbizotërues në zhvillimet e tij.

Këto ditë, siç kemi parë me përpjekjet më të fundit diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, evropianët nuk duken askund. Ata mezi arrijnë të sigurojnë një vend në tryezë, e lëre më të përcaktojnë agjendën.

Dobësia e qenësishme e Evropës dhe dështimi i saj për të arritur një qëndrim të përbashkët për Ukrainën dhe Iranin e kanë shtyrë atë në skajet e ngjarjeve botërore. Jared Kushnero, dhëndri i Trumpit që po udhëheq bisedimet amerikane të paqes për Ukrainën, nuk mundi të përmbahej pa bërë një vërejtje përçmuese për statusin e zvogëluar të Evropës, kur fundjavën e kaluar u shtrua mundësia e pjesëmarrjes evropiane në negociatat e ardhshme.

Duke i bërë jehonë batutës së famshme të Henry Kissingerit, Kushneri komentoi me tallje se do të ishte arritje e madhe nëse evropianët do të mund të “identifikonin një person që do të fliste në emër të tyre”. Kaja Kallas, e cila supozohet të jetë shefja e politikës së jashtme të BE-së, fillimisht u ofrua ta merrte këtë rol, duke deklaruar: “Jam e gatshme ta bëj këtë punë”.

Ajo u vu menjëherë në vendin e vet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i cili njoftoi se interesat e Evropës do të përfaqësoheshin - në vend të saj - nga një ekip i këshilltarëve të sigurisë kombëtare nga Franca, Gjermania, Polonia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Është e vështirë të përfytyrohet një përgjigje më groteske evropiane ndaj përçmimit të Kushnerit.

Sa i përket Britanisë, ditët kur udhëheqësit tanë ishin në gjendje ta përmbushnin rolin e një burrështetasi të vërtetë, duke përcaktuar dhe drejtuar agjendën ndërkombëtare, kanë kaluar prej kohësh. Me qeverinë e Andy Burnhamit që duket e fiksuar pas çështjeve margjinale të politikës së jashtme - si vendosja e sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor - nuk është për t’u habitur që akterët kryesorë në çështjet botërore nuk kanë shumë interes ta dëgjojnë qëndrimin e Britanisë për çështjet ditore.

Në të njëjtën javë kur udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe ShBA-së janë të angazhuar në diplomacinë e tyre të nivelit të lartë në Shenzhen, Burnhami do të jetë në Bruksel duke u grindur për marrëveshjet aq të ndërlikuara të harmonizimit rregullator, sa ministrat e kanë kaluar javën duke i siguruar votuesit se ato nuk nënkuptojnë fundin e patatinave me shije proshute të tymosur.

Dhe, për sa kohë që udhëheqësit britanikë dhe evropianë mbeten të preokupuar me çështje të tilla të ngushta, nuk ka absolutisht asnjë mundësi që fuqitë e kontinentit të vjetër të kenë një rol serioz për të luajtur në skenën botërore. /Telegrafi/