Në Prishtinë janë paralajmëruar tri protesta për ditën e sotme, 19 nëntor, ku në qendër të kërkesave janë përmirësimi i shërbimeve sociale, rritja e pagave për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe mbrojtja e autonomisë universitare.
Protesta e parë është paralajmëruar për orën 10:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”, nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës. Përmes kësaj proteste kërkohet rritja e buxhetit për shërbimet sociale dhe sigurimi i mbështetjes së nevojshme për kategoritë në nevojë.
Protesta e dytë do të mbahet në orën 11:00, para objektit të KEK-ut, në Toskan. Punëtorët e kësaj korporate kërkojnë rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe zbatimin e pagës së 13-të.
Ndërsa, protesta e tretë është paralajmëruar për orën 11:30, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Studentët pritet të kundërshtojnë presionet ndaj universitetit, duke kërkuar respektimin e autonomisë dhe funksionimit të pavarur të institucionit.













