Një moment i pazakontë ka tërhequr vëmendjen gjatë seancës së parlamentit të Serbisë, ku presidenti Aleksandar Vuçiç u përfshi në një përplasje verbale me deputetin e Listës Studentore, Zllatko Kokanoviç. Gjithçka nisi pasi Vuçiç u ankua se televizioni shtetëror RTS po e censuronte, duke ndryshuar transmetimin e seancës nga kanali i parë në atë të dytë.
Ankesa e tij shkaktoi të qeshura dhe reagime ironike nga deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare. Në një moment, Kokanoviç nisi t’i dërgonte puthje nga vendi i tij në sallë, në një gjest që duket se kishte për qëllim të provokonte kreun e shtetit.
Por Vuçiç nuk e priti mirë veprimin dhe reagoi menjëherë, duke i kërkuar deputetit të mos i dërgonte puthje. “Mos më dërgoni puthje, unë nuk jam nga ata. Keni plot kolegë këtu që mund t’ua dërgoni, por jo mua”, iu drejtua ai Kokanoviçit.
Më pas, Vuçiç e cilësoi gjestin si “ngacmim seksual”, duke shtuar se nuk ishte homoseksual. Në përpjekje për të sqaruar deklaratën, ai tha se nuk kishte asgjë kundër personave me orientime të ndryshme seksuale, por vijoi me komente ironike ndaj deputetit.
Momenti u bë edhe më i sikletshëm për shkak të pranisë së Ana Brnabiçit, e cila ndodhej pas Vuçiçit gjatë debatit. Ish-kryetarja e parlamentit dhe ish-kryeministrja serbe, e cila e ka deklaruar publikisht orientimin e saj homoseksuale, u përpoq disa herë të përmbante të qeshurën gjatë fjalës së Vuçiçit.
Përplasja vjen në një moment të rëndësishëm për politikën serbe, pasi Lista Studentore arriti një fitore të fortë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke siguruar 140 nga 250 vendet në parlament. Lista e drejtuar nga kampi politik i Vuçiçit mori 103 mandate, ndërsa pjesa tjetër u fitua nga përfaqësues të partive të pakicave.
Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, kampi i Vuçiçit tashmë përfaqësohet në opozitë në parlament, ndërsa seancat e para të legjislaturës së re janë shoqëruar me debate dhe përplasje mes palëve.










