BOTA

Bota me sytë nga Kina/ Trump, Putin dhe Xi Jinping në një tryezë! Çfarë pritet nga takimi i liderëve më të fuqishëm në planet?

08:13 - 19.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë nisur një takim trepalësh në Kinë, në një zhvillim të cilësuar si historik për marrëdhëniet mes tri fuqive të mëdha botërore.

Tre liderët po zhvillojnë bisedimet në margjinat e samitit të APEC-ut në Shenzhen, ndërsa takimi i tyre ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke eklipsuar në njëfarë mënyre vetë samitin.

Sipas informacioneve paraprake, një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë kufizimi i përhapjes së armëve bërthamore. Megjithatë, Trump ka lënë të kuptohet se agjenda mund të jetë më e gjerë dhe të përfshijë edhe luftën në Iran, rikthimin e qarkullimit të karburantit përmes Ngushticës së Hormuzit, luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Takimin e hapi presidenti kinez Xi Jinping, i cili e cilësoi këtë takim si një ngjarje me rëndësi historike dhe me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ndërveprimi pozitiv mes fuqive të mëdha nuk është çështje zgjedhjeje, por një kërkesë e domosdoshme”, deklaroi Xi, duke theksuar se tri vendet kanë përgjegjësi të veçanta përballë sfidave globale.

Ai përmendi marrëdhëniet strategjike mes Kinës dhe Rusisë, si dhe përpjekjet e Pekinit për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive dhe strategjikisht të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara.

Bota e sotme, sipas Xi Jinping, nuk është më një bashkësi ishujsh të izoluar, por një “fshat global”, ku fatet e të gjithëve janë të ndërlidhura.

Presidenti kinez u bëri thirrje SHBA-së, Kinës dhe Rusisë që të japin shembull për pjesën tjetër të botës, duke bashkëpunuar për përballimin e sfidave ndërkombëtare dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit.

“Duhet të mësojmë nga historia. Vështirësitë zbulojnë përgjegjësinë e vërtetë”, citohet të ketë thënë Xi, sipas Reuters.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.