Real Madridi po përgatit një kontratë të re me kushte dukshëm më të mira financiare për Jude Bellinghamin, duke synuar ta shpërblejë mesfushorin anglez për rëndësinë që ka në skuadër.

Sipas raportimeve të mediumit spanjoll AS, Bellingham pritet të përfitojë një pagë prej rreth 575 mijë eurosh në javë, që përkthehet në afro 29.9 milionë euro në vit.


Me këtë rritje, 23-vjeçari do të afrohej ndjeshëm me nivelin më të lartë të pagave në klub, ku aktualisht renditen Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe.

Marrëveshja për vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve ishte arritur që në tetor. Kontrata aktuale e Bellinghamit, të cilën e kishte nënshkruar pas transferimit nga Borussia Dortmundi në vitin 2023, ishte e vlefshme deri në vitin 2029. Megjithatë, marrëveshja e re parasheh zgjatjen e saj edhe për dy sezone të tjera, deri më 30 qershor të vitit 2031.

Ndryshimi i fundit lidhet kryesisht me përmirësimin e kushteve financiare. Deri më tani, paga e anglezit vlerësohej në rreth 400 mijë euro në javë, ndërsa shifra e re prej 575 mijë eurosh do të përfaqësonte një rritje prej afërsisht 44 për qind.

Me këtë pagë, Bellingham do t'i afrohej ndjeshëm Vinicius Juniorit dhe Kylian Mbappes, të cilët, sipas vlerësimeve të publikuara, përfitojnë rreth 600 mijë euro në javë, apo 31.25 milionë euro në vit.

Rëndësia e mesfushorit anglez në planet e klubit është reflektuar edhe në rolin e tij në fushë. Nën drejtimin e Jose Mourinhos, Bellingham është aktivizuar më afër zonës kundërshtare, kryesisht si mesfushor ofensiv në skemën 4-2-3-1, duke pasur më pak përgjegjësi në fazën më të tërhequr të lojës.

Ky ndryshim i ka dhënë më shumë hapësirë për të kontribuar në sulm. Gjatë këtij sezoni, anglezi ka regjistruar pesë gola dhe katër asistime, duke rikthyer një pjesë të rolit ofensiv që kishte në sezonin e tij të parë me fanellën e madrilenëve.

Pas sigurimit të vazhdimësisë së Arda Gulerit deri në vitin 2032, Real Madridi po vazhdon punën për të blinduar futbollistët që i konsideron pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë.

Në këtë drejtim, Bellingham mbetet një prej emrave kryesorë në planet e Florentino Perezit, ndërsa kontrata e re pritet ta mbajë atë në ‘Santiago Bernabeu’ deri në moshën 28-vjeçare. /Telegrafi/