Antibiotikët nuk janë zgjidhje për çdo infeksion. Gripi, ftohjet dhe shumica e dhimbjeve të fytit shkaktohen nga viruset, ndaj këto ilaçe nuk kanë efekt kundër tyre.

Përkundrazi, përdorimi i panevojshëm mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.


Paralajmërimi lidhet me rritjen e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve, duke i bërë infeksionet gjithnjë e më të vështira për t'u trajtuar.

Sipas OBSH-së, antibiotikët përdoren për infeksione bakteriale, si pneumonia, tuberkulozi dhe infeksionet e gjakut.

Ata nuk veprojnë kundër viruseve që shkaktojnë gripin, ftohjet dhe bronkitin. Në këto raste, marrja e tyre jo vetëm që nuk ndihmon në shërim, por mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të infeksioneve rezistente në të ardhmen.

Shifrat janë shqetësuese. Sipas raportit global të OBSH-së, në vitin 2023, një në gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator ishte rezistent ndaj trajtimit me antibiotikë.

Ndërsa mes viteve 2018 dhe 2023, rezistenca u rrit në më shumë se 40 për qind të kombinimeve bakter-antibiotik të monitoruara.

Për të shmangur këtë problem, OBSH këshillon që antibiotikët të merren vetëm me përshkrimin e mjekut dhe për infeksione bakteriale.

Qytetarët nuk duhet t'i blejnë pa recetë, t'i përdorin me iniciativën e tyre apo të presin që të përshkruhen për çdo ftohje dhe infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. /Telegrafi/