Pa ekip por në formë me Shqipërinë, Hysajt i ndodh një nga gjërat më të bukura
Elseid Hysaj ka lënë gjurmë në këtë edicion të Nations League, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të spikatur të Kombëtares shqiptare. Edhe pse prej përfundimit të sezonit ishte pa kontratë me një klub, mbrojtësi kuqezi fitoi besimin e trajnerit Rolando Maran, i cili e aktivizoi në të gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve.
Futbollisti shqiptar iu përgjigj besimit me paraqitje pozitive, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në lojën e ekipit. Përveç sigurisë në krahun e djathtë të mbrojtjes, Hysaj regjistroi edhe dy asistime dhe një gol, duke qenë një prej lojtarëve me ndikimin më të madh në rezultatet e Shqipërisë.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga mediat e specializuara. Faqja e njohur “WhoScored”, e cila merret me statistikat dhe vlerësimin e futbollistëve, e ka përfshirë Hysajn në formacionin ideal të fazës së grupeve të Nations League. Me një vlerësim mesatar prej 7.65 pikësh në gjashtë takime, shkodrani është përzgjedhur në krahun e djathtë të 11-shes më të mirë të këtij kompeticioni.

Në këtë formacion prestigjioz bëjnë pjesë edhe emra të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar, si Harry Kane, Lamine Yamal, Jude Bellingham dhe Michael Olise.
Ky vlerësim përbën një sinjal pozitiv për të ardhmen e Hysajt, i cili po kërkon të rikthehet në futbollin e klubeve. Aktualisht, mbrojtësi po stërvitet me Vllazninë, ndërsa pret të gjejë një skuadër të re ku të vijojë karrierën e tij.




