Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka shitur një pikturë të Vincent van Gogh për një shumë rekord prej 190.4 milionë dollarësh (144.8 milionë paund).
BBC shkruan se Shitja e veprës “Châtaigniers en fleurs” (Gështenja në lulëzim) thyen rekordin e mëparshëm të artistit të njohur, prej 117.2 milionë dollarësh, të vendosur në vitin 2022.
Ankandi historik u zhvillua të mërkurën në Nju Jork, pas arritjes së një marrëveshjeje në momentet e fundit për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje lidhur me pretendimet se vepra ishte shitur nën presion gjatë periudhës së ngritjes së nazizmit.
“Châtaigniers en fleurs” u realizua në vitin 1890, gjatë dy muajve të fundit të jetës së Van Gogh. Sipas Sotheby’s, ajo konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të kësaj periudhe që vijon të jetë në pronësi private.
Nuk është bërë ende i ditur identiteti i personit që bleu pikturën. BBC ka kontaktuar Sotheby’s për një koment lidhur me këtë çështje.
Piktura e realizuar me bojëra vaji kishte një vlerësim paraprak prej 180 milionë dollarësh (136 milionë paund) dhe u nxor në ankand si pjesë e koleksionit të njohur “Blaquier-Arrieta”.
Vetëm pak orë përpara ankandit, Sotheby’s njoftoi se kishte zgjidhur mosmarrëveshjen mes familjes Blaquier-Arrieta dhe trashëgimtarëve të familjes Fischer, pronarët e mëparshëm gjermanë të veprës.
Përfaqësuesit e trashëgimtarëve të familjes Fischer kishin pretenduar se piktura mund të ishte shitur nën presion gjatë periudhës së ngritjes së nazizmit.
Sipas raportimeve, një avokat që përfaqëson trashëgimtarët e familjes i kishte dërguar një letër Sotheby’s, ku theksonte se piktura ishte shitur në Amsterdam përpara Luftës së Dytë Botërore, për shkak të humbjeve financiare që kompania botuese e familjes Fischer kishte pësuar si pasojë e politikave të regjimit nazist. BBC ka kontaktuar gjithashtu avokatin për të marrë një koment.
“Duke njohur historinë komplekse të pikturës gjatë periudhës naziste dhe vuajtjet e familjes Fischer gjatë Holokaustit, të dyja familjet kanë arritur një marrëveshje të kënaqshme për palët, në bazë të së cilës vepra do të shitet”, deklaroi Sotheby’s të mërkurën.
Në faqen e saj zyrtare, Sotheby’s paraqet historikun e pronësisë së pikturës dhe kërkimet e kryera për të dokumentuar kalimin e saj nga një pronar te tjetri që prej vitit 1890.
Sipas të dhënave të publikuara nga shtëpia e ankandeve, Samuel Fischer, një botues i njohur gjerman, e bleu pikturën në vitin 1909. Pas vdekjes së tij në vitin 1934, vepra mbeti në pronësi të familjes.
Piktura ishte depozituar pranë Paul Cassirer në Amsterdam në vitin 1932 ose 1933, përpara se në vitin 1936 të kalonte në pronësi të Henriette dhe Marcel Kapferer në Paris, sipas Sotheby’s.
Më pas, vepra kaloi në duart e katër pronarëve të tjerë.
Familja Blaquier e bleu pikturën në vitin 1975 dhe e mbajti atë në pronësi për më shumë se gjysmë shekulli, deri në shitjen e fundit në ankand.











Komente
Komento