Takimi i parë trepalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, nisi në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen të Kinës.
Tre udhëheqësit pritet të diskutojnë për çarmatimin bërthamor, si dhe për luftërat në Iran dhe Ukrainë.
Përpara takimit trepalësh, Trump zhvilloi takime të veçanta me Putinin dhe Xi Jinpingun.
Presidenti amerikan dhe ai rus zhvilluan një takim të shkurtër dhe të paparalajmëruar në margjinat e samitit, i cili nuk kishte karakterin e një takimi zyrtar dypalësh.
Takimi u zhvillua në kompleksin qeveritar të pritjeve, Kylin Villa, në një dhomë të veçantë të qendrës së konferencave, ku po mbaheshin seancat plenare të samitit.
Zyrtarë amerikanë i thanë Radios Evropa e Lirë se bëhej fjalë për një bisedë të shkurtër dhe joformale.
Sipas gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë, Trump hyri në dhomë në orën 12:15, sipas kohës lokale, i shoqëruar nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller.
Pamjet televizive, të regjistruara nga grupi i gazetarëve të akredituar, treguan se Trump iu afrua menjëherë Putinit dhe i shtrëngoi dorën.
Teksa po i afrohej presidentit rus, Trump u dëgjua të thoshte: “Kush është ai? Ai është miku im”, sipas një regjistrimi të dëgjuar nga njëri prej gazetarëve.
Më pas, Trump bëri disa komente të shkurtra, duke thënë se ai dhe Putini njihen prej shumë vitesh dhe kanë ruajtur marrëdhënie të mira.
“E presim me padurim takimin tonë. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera për shumë vite. Njihemi prej kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të marrin udhë. Por besoj se ato do të realizohen”, tha Trump, sipas regjistrimit të gazetarëve të akredituar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se takimi mes Trumpit dhe Putinit “shkoi përgjithësisht mirë”.
“Takimi nuk zgjati shumë, por ata arritën të diskutojnë për disa çështje”, u tha Peskov gazetarëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u panë pranë dhomës ku u zhvillua takimi.
Takim i kufizuar diplomatik
Takimi mes Trumpit dhe Putinit ishte më i kufizuar se një takim i zakonshëm zyrtar dypalësh.
Takime të tilla, të njohura në diplomaci si “pull-aside”, janë biseda të shkurtra mes udhëheqësve, shpesh joformale, që zhvillohen në margjinat e tubimeve të mëdha ndërkombëtare.
Ato mundësojnë komunikim të drejtpërdrejtë, pa përgatitje të hollësishme, pjesëmarrje të delegacioneve apo agjendë të përcaktuar, siç ndodh zakonisht me takimet zyrtare dypalëshe.
Në këtë rast, takimi nuk ishte përfshirë në agjendën fillestare publike të Trumpit.
Një zyrtar i lartë amerikan i kishte thënë më herët Radios Evropa e Lirë se një takim i tillë kishte “shumë gjasa të ndodhte, nëse kushtet do ta lejonin”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u panë pranë dhomës ku u zhvillua biseda.
Ukraina mbetet çështje kyçe
Takimi u zhvillua në një kohë kur Rusia po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje paqeje janë ende në zhvillim.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit që nga bisedimet e tyre në Alaskë, vitin e kaluar, të cilat përfunduan pa një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Ukraina këmbëngul vazhdimisht se duhet të marrë pjesë në çdo negociatë që lidhet me të ardhmen e saj.
Më 18 nëntor, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Uashington, Denys Sienik, i tha Radios Evropa e Lirë se çështjet që lidhen me Ukrainën duhet të zgjidhen me pjesëmarrjen e saj, ndërsa diskutimet për sigurinë evropiane kërkojnë përfshirjen e vendeve evropiane.
Sienik tha gjithashtu se Moskës nuk duhet t’i lejohet t’i shfrytëzojë tubimet ndërkombëtare për të promovuar qëndrimet e saj. Ai theksoi se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa përfshirjen e Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi në fjalimin e tij të mbrëmjes se të dërguarit amerikanë do t’i informonin zyrtarët ukrainas në Berlin, më 19 nëntor, për bisedimet e Trumpit me udhëheqësit kinezë në Pekin.
Kievi pritej gjithashtu të merrte informacione të drejtpërdrejta nga partnerët pjesëmarrës në samitin në Kinë.
Senatorët kërkojnë qëndrim më të ashpër
Përpara takimeve të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë kinez, Xi Jinping, nëntë senatorë demokratë publikuan një deklaratë, përmes së cilës i kërkuan presidentit amerikan të mbrojë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe t’u kundërvihet atyre që i cilësuan si kërcënime në rritje nga Pekini dhe Moska.
Deklarata u udhëhoq nga senatorja Jeanne Shaheen, nga Nju Hempshiri, demokratja më e lartë në hierarkinë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit. Ajo u mbështet nga senatorët Chris Coons, Tim Kaine, Jeff Merkley, Cory Booker, Brian Schatz, Chris Van Hollen, Tammy Duckworth dhe Jacky Rosen.
Senatorët paralajmëruan se samiti nuk duhet të shndërrohet në një mundësi për fuqitë e mëdha që ta ndajnë botën në sfera konkurruese ndikimi.
Ata i kërkuan Trumpit që t’i kërkojë llogari presidentit kinez, Xi Jinping, për mbështetjen që Kina, sipas tyre, u jep përpjekjeve luftarake të Rusisë, përfshirë përmes furnizuesve dhe institucioneve financiare kineze, të cilat ndihmojnë në vazhdimin e operacioneve ushtarake të Moskës.
Senatorët kërkuan gjithashtu që Trump t’ia bëjë të qartë Putinit se siguria evropiane nuk është e negociueshme dhe se nuk mund të zhvillohen negociata për Ukrainën pa pjesëmarrjen e saj. Marrë me shkurtime nga REL
