SPAK merr dosjen e 700 mijë eurove të zhdukura në Postën e Durrësit, dyshime për grup të strukturuar kriminal

Aktualitet | 8 minuta më parë

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për zhdukjen e rreth 700 mijë eurove nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës, pasi Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm shpalli moskompetencën dhe ia përcolli çështjen SPAK-ut.

Këtë të enjte, më 19 nëntor, në Prokurorinë e Posaçme është hedhur shorti për caktimin e prokurorit që do të marrë në shqyrtim dosjen. Shkak për kalimin e hetimeve në SPAK janë dyshimet se përvetësimi i shumës mund të jetë kryer nga një grup i strukturuar kriminal.

Sipas burimeve, hetimet mund të shtrihen edhe drejt ish-zyrtarëve, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të mësuar emrin ose emrat konkretë, nuk ka pasur konfirmim zyrtar.

Ngjarja u zbulua pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare, ku rezultoi se gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti, 69 milionë lekë ishin regjistruar si transferta drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, por nuk kishin mbërritur asnjëherë në destinacion.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për 11 mandat-pagesa, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar lëvizjen e shumave të parave nga arka drejt zyrave të drejtuesve të filialit.

Për këtë çështje janë arrestuar ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme