Franca ka vendosur të rrisë nivelin e alarmit për gripin e shpendëve në shkallën më të lartë, pas rasteve të reja të virusit të konstatuara te shpendët e egër dhe në disa ferma.
Masat e reja do të hyjnë në fuqi të premten, më 20 nëntor, dhe parashikojnë mbajtjen e shpendëve në ambiente të mbyllura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Si pasojë e masave të reja, fermat e shpendëve do të detyrohen t’i mbajnë shpendët të mbyllur në ambiente të kontrolluara, me qëllim kufizimin e kontaktit me shpendët e egër dhe parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas autoriteteve franceze, gjatë sezonit aktual, që ka nisur në fillim të gushtit, janë regjistruar gjashtë vatra të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë. Tre prej tyre janë konstatuar në ferma komerciale në Maine-et-Loire, ndërsa tri të tjera në oborre familjare dhe te shpendët e mbajtur në robëri, në Gironde, Seine-Maritime dhe Landes.
Deri më 5 nëntor, Franca kishte mbajtur nivelin e rrezikut në shkallën e moderuar, por përhapja e virusit në shpendët e egër në Evropë ka bërë që autoritetet të vendosin masa më të rrepta.
Gripi i shpendëve është një sëmundje infektive që prek kryesisht shpendët. Autoritetet këshillojnë shmangien e kontaktit me shpendët e egër të ngordhur ose të sëmurë.
Ndërkohë, Ministria franceze e Bujqësisë sqaron se konsumimi i mishit të shpendëve dhe vezëve, kur produktet trajtohen dhe gatuhen siç duhet, nuk paraqet rrezik për njerëzit.













