Aktakuzë ndaj një gruaje në Ferizaj për mashtrim me prona, dyshohet se shkaktoi 320 mijë euro dëm
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, lidhur me shitjen e pronave duke përdorur autorizime të falsifikuara.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Divizioni Civil, ka paraqitur autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për shitjen e pronave të tij në Kosovë.
Prokuroria thotë se ky autorizim pretendohej të ishte bazuar në një kontratë të vitit 2012, të lidhur pranë një noteri në Maqedoninë e Veriut. Përmes dokumenteve të falsifikuara, gjykata kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin personit L.H. i ishte njohur e drejta e pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviq të Komunës së Shtimes.
Po ashtu, sipas aktakuzës, më 20 tetor 2016, në Ferizaj, e pandehura dyshohet se kishte mashtruar personin M.K., duke pretenduar se kishte autorizim nga xhaxhai për shitjen e pronave. I dëmtuari kishte kryer pagesa në llogarinë bankare të saj, në shuma të ndryshme, por më vonë kishte kuptuar se autorizimi ishte i falsifikuar.
Në këtë rast, Prokuroria vlerëson se të pandehurës i atribuohet shkaktimi i dëmit pasuror prej 200 mijë eurosh.
Ndërkaq, gjatë vitit 2018, e pandehura dyshohet se kishte mashtruar edhe personin L.H., duke përdorur të njëjtin autorizim të falsifikuar për shitjen e pronës së xhaxhait të saj.
Sipas Prokurorisë, palët kishin lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh, me marrëveshjen që 120 mijë euro të paguheshin deri në vitin 2020, ndërsa 50 mijë eurot e mbetura pas pajisjes me fletë poseduese. Prokuroria thotë se përmes këtyre veprimeve, të pandehurës i atribuohet shkaktimi i dëmit prej 120 mijë eurosh.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.















