Një 44-vjeçar është arrestuar në Kuçovë, ndërsa vëllai i tij 40-vjeçar është proceduar penalisht, pasi gjatë kontrolleve në dy subjektet që administronin dhe në banesë, policia zbuloi lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, mjete prerëse dhe përforcues grushti. Sipas policisë, lënda narkotike mbahej me qëllim shitjen.

“Kuçovë. Mbanin në 2 subjektet e tyre, lëndë narkotike, me qëllim shitjen, dhe armë të ftohta, vihet në pranga 44-vjeçari dhe procedohet penalisht vëllai i tij.

Sekuestrohen sasi dhe doza Cannabisi, mjete prerëse dhe përforcues grushti.

Në kuadër të kontrolleve permanente, në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e vënies së tyre në funksion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin L. T., 44 vjeç, banues në Kuçovë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vëllanë e tij, shtetasin F. T., 40 vjeç.

Në subjektin (berberhane) dhe në banesën e të arrestuarit u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, si dhe përforcues grushti.

Ndërkaq, në subjektin (servis për automjete) e të proceduarit u gjetën 2 mjete prerëse (thika). Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.