Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Berlin, ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), me ftesë të Kancelarit Federal të Gjermanisë, Friedrich Merz.
Takimi do të zhvillohet në ambientet e Kancelarisë Federale Gjermane, ku pritet të mblidhen përfaqësues të nivelit të lartë nga vende të ndryshme për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Evropë.
Në një njoftim për mediat, Kryeministria thekson se pjesëmarrja e Ramës në këtë tryezë vjen në kuadër të angazhimit të Shqipërisë në bashkëpunimin me aleatët strategjikë dhe partnerët evropianë.
“Prania e kryeministrit në këtë takim synon të riafirmojë rolin e Shqipërisë në diskutimet për sigurinë dhe stabilitetin evropian, si dhe mbështetjen e saj ndaj angazhimeve të përbashkëta me aleatët”, theksohet në njoftim.
