Interi ka nisur të projektojë merkaton për sezonin e ardhshëm, duke studiuar me kujdes mundësitë që ofron tregu i futbollistëve me parametra zero. Drejtuesit zikaltër po shqyrtojnë afrimin e dy emrave me shumë eksperiencë në futbollin evropian: portierit të Liverpoolit, Alisson Becker, dhe mesfushorit të Napolit, Frank Anguissa.
Sipas raportimeve të mediave italiane, të dy futbollistët janë në radarët e klubit milanez, pasi kontratat e tyre aktuale përfundojnë në qershor të vitit 2027. Kjo mund t’i japë Interit mundësinë për të siguruar shërbimet e tyre pa paguar një tarifë transferimi, nëse situata kontraktuale nuk ndryshon.
Një nga repartet që po shqetëson drejtuesit e Interit është porta. Edhe pse trajneri Cristian Chivu ka shprehur vazhdimisht besimin te Josep Martinez, portieri spanjoll nuk ka arritur të garantojë vazhdimësinë dhe sigurinë e pritshme, ndërsa disa gabime kanë kushtuar pikë të rëndësishme.
Për këtë arsye, në listën e dëshirave ka përfunduar Alisson Becker. Portieri brazilian i Liverpoolit, 34 vjeç, shihet si një alternativë me shumë eksperiencë, që mund të ofrojë siguri të menjëhershme mes shtyllave.
Megjithatë, pengesa kryesore për realizimin e këtij operacioni mbetet aspekti ekonomik. Alisson përfiton aktualisht te Liverpooli rreth 8.5 milionë euro pagë fikse në sezon, plus 2.5 milionë euro bonuse, duke arritur në një total prej 11 milionë eurosh.
Një shifër e tillë është përtej kufijve financiarë që Interi synon të respektojë. Për këtë arsye, një transferim i mundshëm do të kërkonte që portieri brazilian të pranonte një ulje të konsiderueshme të pagës.
Përveç portës, Interi po mendon edhe për përforcimin e mesfushës. Emri i dytë në listën e drejtuesve zikaltër është Frank Anguissa, i cili aktualisht aktivizohet te Napoli. Mesfushori kamerunas, 31 vjeç, konsiderohet një profil ideal për t’i shtuar skuadrës forcë fizike, eksperiencë dhe cilësi në repartin e mesfushës.
Megjithatë, gara për shërbimet e tij mund të mos jetë e lehtë. Anguissa është përmendur edhe në lidhje me një largim të mundshëm që në merkaton e janarit, me Marseille dhe Juventusin që janë përfolur si destinacione të mundshme.
