Shaqiri rikthehet te shqiponja ndaj Serbisë: Shumë zviceranë nuk e kuptuan historinë pas gjestit
Xherdan Shaqiri ka folur sërish për gjestin e shqiponjës që bëri së bashku me Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteinerin gjatë Kampionatit Botëror të vitit 2018, në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë.
Në një intervistë për “RSI Sport”, futbollisti shqiptar ka kujtuar atmosferën e tensionuar të asaj përballjeje, duke theksuar se kishte pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes.
“Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik”, deklaroi Shaqiri.
Ai theksoi se gjesti ishte rezultat i emocioneve të shumta dhe se mediat i dhanë një vëmendje të tepruar ngjarjes.
Shaqiri foli edhe për reagimet në Zvicër, duke thënë se shumë tifozë nuk e kishin kuptuar historinë që qëndronte pas simbolit të shqiponjës.
“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë”, u shpreh ai.
Shaqiri dhe Xhaka kishin festuar me simbolin e shqiponjës pas golave të shënuar kundër Serbisë në Botërorin e Rusisë, në vitin 2018.















