‘Turist’ te Kombëtarja shqiptare por në Itali po bën namin, Shpendin e duan dy ekipe të ‘Serisë A’
Cristian Shpendi po kalon një sezon fantastik në Serie B, ku me 8 gola dhe 1 asist në 11 javët e para është aktualisht golashënuesi më i mirë i kampionatit. Forma e shkëlqyer e sulmuesit kuqezi i ka siguruar edhe vëmendjen e trajnerit të Shqipërisë, Rolando Maran, i cili e ka përfshirë rregullisht në grumbullimet e Kombëtares për Nations League. Megjithatë, hapësirat e tij në formacion kanë qenë të kufizuara.
Në Itali, ndërkohë, emri i Shpendit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Paraqitjet e tij kanë tërhequr interesin e disa klubeve të Serie A, të cilat po shqyrtojnë mundësinë për të siguruar shërbimet e sulmuesit shqiptar që në merkaton e janarit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Cesena është e gatshme të shqyrtojë largimin e futbollistit, por ka vendosur edhe çmimin për kartonin e tij. Klubi e vlerëson Shpendin me 8 milionë euro, një shifër që reflekton sezonin e tij pozitiv dhe interesimin e krijuar në treg.
Në garën për të siguruar firmën e sulmuesit, Frosinone duket një nga klubet më të interesuara dhe thuhet se është e gatshme të plotësojë kërkesat financiare të Cesenas. Në listën e skuadrave që ndjekin situatën e Shpendit është edhe Cagliari, duke e bërë edhe më interesante garën për shërbimet e tij.
Nga ana tjetër, Cesena ndodhet në një pozicion të favorshëm negociues, pasi futbollisti shqiptar ka kontratë deri në vitin 2028 dhe përfiton rreth 1.4 milionë euro në sezon. Për më tepër, drejtuesit e klubit po mendojnë t’i ofrojnë një marrëveshje të re deri në vitin 2029, të shoqëruar edhe me përmirësim të kushteve financiare.
E ardhmja e Cristian Shpendit pritet të marrë drejtim në javët në vijim, ndërsa merkatoja e janarit mund të shënojë një hap të rëndësishëm në karrierën e sulmuesit të talentuar shqiptar.




