Rreth 20 aplikacione të përdorura nga administrata e kantonit Basel-Landschaft në Zvicër kanë mbetur jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik ndaj infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, njoftoi Kancelaria Kantonale. Sipas saj, sulmet ndaj sistemeve informatike të administratës kanë vijuar që nga e diela.
Të mërkurën në mbrëmje autoritetet raportuan përparim në analizimin e incidentit dhe në zgjidhjen e problemeve teknike. Lajmin e transmetoi agjencia zvicerane e lajmeve Swissinfo, e cila e publikoi të mërkurën. Aplikacionet e prekura funksionojnë në gjashtë serverë, të cilët aktualisht po riinstalohen me qëllim rikthimin e shërbimeve, bëri të ditur Kancelaria Kantonale.
Si masë mbrojtëse, zyrtarët vendosën të shkëputnin disa serverë nga interneti për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sulmit dhe për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale. Kjo solli ndërprerjen e disa shërbimeve online. Pavarësisht sulmit kibernetik në Zvicër, shërbimet e emergjencës kanë vijuar të funksionojnë normalisht dhe sistemet informatike të organizatave të shpëtimit dhe sigurisë në kanton nuk janë prekur, konfirmuan autoritetet.
Fillimisht, Kancelaria Kantonale paralajmëroi qytetarët për probleme të mundshme në kontaktimin e numrave të emergjencës 112, 117 dhe 118. Më vonë u konfirmua se të tre numrat kishin mbetur funksionalë dhe të arritshëm. Zëdhënësi i qeverisë kantonale, Nic Kaufmann, shpjegoi se paralajmërimi ishte bërë si masë paraprake, pasi autoritetet nuk mund të përjashtonin mundësinë e shkëputjes së serverëve të tjerë gjatë ndërhyrjeve për sigurinë e sistemeve.
