Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kanë nisur punimet e fazës së III të bajpasit të Tiranës.
Sipas ARRSH-së, përveç 1 km autostradë, projekti parashikon edhe ndërtimin e rreth 5 km rrugë sekondare si dhe të një nyje me dy rrethrrotullime, të cilat do të mundësojnë lidhjen me rrjetin rrugor ekzistues dhe do të përmirësojnë aksesin për banorët dhe përdoruesit e zonave përreth.
“Pas mobilizimit në kantier dhe përfundimit të piketimit të objektit, kanë nisur punimet në terren, të cilat aktualisht konsistojnë në gërmimet për formimin e trupit të rrugës”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Bajpasi i Tiranës parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 21.6 km dhe të lidhë autostradën Tiranë – Durrës me autostradën Tiranë – Elbasan.
Projekti është konceptuar si një autostradë e kategorisë A, me dy korsi për secilin drejtim lëvizjeje, shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë dhe katër nyje kryesore lidhëse përgjatë gjurmës.

