Van Gogh thyen rekordin, “Pemët e gështenjës në lulëzim” shitet për 190.4 milionë dollarë në Nju Jork

19/11/2026 10:30

Piktura e famshme e Vincent van Gogh-ut, e titulluar “Pemët e gështenjës në lulëzim”, është shitur për 190.4 milionë dollarë në ankandin e zhvilluar nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s në Nju Jork.

Vepra, e realizuar në maj të vitit 1890, konsiderohet ndër krijimet më të rëndësishme të periudhës së fundit të jetës së artistit holandez. Shitja e saj për 190.4 milionë dollarë e tejkaloi vlerësimin fillestar prej 180 milionë dollarësh, duke e kthyer në një prej shitjeve më të rëndësishme të veprave të Van Gogh-ut.

Në kohën kur realizoi këtë pikturë, artisti jetonte në fshatin Auvers-sur-Oise të Francës, ku ndërroi jetë rreth dy muaj më vonë, në moshën 37-vjeçare.

Piktura paraqet një gështenjë të madhe në lulëzim, me një kurorë të dendur që zë pjesën më të madhe të kompozimit. Sipas Scott Nitchel, kreut të departamentit të artit modern dhe bashkëkohor në Sotheby’s në Nju Jork, vepra pasqyron optimizmin, energjinë, entuziazmin dhe ngjyrat e gjalla që karakterizonin këtë periudhë të krijimtarisë së artistit.

Përpara ankandit, piktura ishte ekspozuar edhe në Hong Kong, ku kishte tërhequr interesin e vizitorëve. Mes tyre ishte edhe 50-vjeçari Li Shanshan, i cili udhëtoi për rreth dy orë e gjysmë nga qyteti kinez i Shenzhen-it për ta parë nga afër veprën.

Ankandi përfshiu edhe 11 piktura të tjera që nuk ishin ekspozuar publikisht prej një kohe të gjatë. Koleksioni përmbante gjithashtu krijime të artistëve të njohur Paul Cézanne dhe Claude Monet.

Top Channel