Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga ujërat e ndotura të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “A” SHA, dhe drejtuesin teknik të saj. Sipas hetimeve, ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure, të krijuara gjatë aktivitetit të uzinës në Drizë, janë shkarkuar në një përrua që derdhet në lumin Gjanica, pa iu nënshtruar trajtimit të përcaktuar në lejen mjedisore. Analizat laboratorike kanë zbuluar se përqendrimi i produkteve të naftës në ujërat e shkarkuara ishte mbi kufirin e lejuar, teksa gjendja e ujërave është klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.