Gjiganti amerikan i inteligjencës artificiale Anthropic debuton në bursën Nasdaq këtë të enjte, duke shënuar hyrjen më të madhe në bursë në histori dhe duke thyer rekordin e vendosur pak muaj më parë nga SpaceX. Kompania pas Claude, një prej rivalëve kryesorë të ChatGPT, ka siguruar rreth 81 miliardë dollarë nga oferta publike e aksioneve, ndërsa vlera e saj në treg llogaritet në afro 1.5 trilionë dollarë. Aksionet do të tregtohen me simbolin “ANT”, që në anglishte do të thotë “milingonë”.
Çmimi fillestar u përcaktua në 83 dollarë për aksion, duke tejkaluar pritshmëritë prej 70 deri në 78 dollarësh. Interesi i lartë i investitorëve e ka shtyrë kompaninë të zgjerojë ofertën e saj, duke lënë pas rekordin prej rreth 86 miliardë dollarësh që SpaceX vendosi në qershor. Përveç ofertës në bursë, Anthropic ka siguruar një marrëveshje investimi privat prej 26 miliardë dollarësh me disa prej emrave më të mëdhenj të teknologjisë, përfshirë Microsoft, Google, Nvidia dhe AMD.
Debutimi vjen në një periudhë pasigurie për sektorin e teknologjisë, pas rënieve të fundit në tregje dhe shqetësimeve se investimet e mëdha në inteligjencën artificiale mund të kenë krijuar një flluskë financiare. Për këtë arsye, hyrja e Anthropic në bursë shihet si një provë e rëndësishme për të kuptuar nëse investitorët vazhdojnë të besojnë te potenciali ekonomik i inteligjencës artificiale.
Anthropic u themelua pesë vjet më parë nga një grup ish-punonjësish të OpenAI. Sot kompania me seli në San Francisko mbështetet nga disa prej emrave më të fuqishëm të Silicon Valley, përfshirë Amazon dhe Google. Drejtori ekzekutiv, Dario Amodei, deklaroi: “Besoj se, nëse veprojmë siç duhet, mund të hyjmë në një epokë mrekullish, ku njerëzimi do të jetë në gjendje të zgjidhë probleme që e kanë sfiduar prej mijëra vjetësh”. Ai theksoi se përfitimet e teknologjisë duhet të shoqërohen me masa për të parandaluar rreziqet dhe me një model biznesi të qëndrueshëm.

