Peleshi i drejtohet Komisionit të Venecias, kërkon ekspertizë për financimin e partive politike
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, duke kërkuar ekspertizë ligjore për projektligjin që rregullon financimin e partive politike në Shqipëri.
Nisma vjen pas dakordësisë së arritur në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku u vendos që çështja e financimit të subjekteve politike t’i nënshtrohet vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë.
Përmes letrës, Peleshi ka ftuar gjithashtu ekspertët e Komisionit të Venecias për një vizitë pune, me qëllim diskutimin e ecurisë së projektligjit dhe mënyrës se si janë reflektuar rekomandimet e këtij institucioni në draftin e propozuar.
Një tjetër çështje që pritet të jetë pjesë e diskutimeve lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Më herët, opozita ka kërkuar masa ndëshkuese për kandidatët që përfitojnë nga përdorimi i administratës dhe burimeve publike gjatë fushatave, duke propozuar masa që shkojnë deri në heqjen e mandatit.
Ndërkohë, debatet në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë shoqëruar edhe me propozime të tjera politike. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka propozuar reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend, nga 140 në 101, si një kundërpropozim ndaj kërkesave të demokratëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



