Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje të rinjve dhe profesionistëve të aplikojnë për vendet e lira të punës në diplomacinë shqiptare. Afati i aplikimit është edhe dy ditë për punonjësit e administratës publike dhe pesë ditë për kandidatët e tjerë, brenda dhe jashtë vendit.

“Shqipëria ka nevojë për më të mirët e saj. Nëse besoni se jeni një prej tyre, aplikoni!”, shkruan Hoxha në një postim në rrjetet sociale.

Ministri thekson se diplomacia shqiptare po ndryshon bashkë me vendin dhe se ka nevojë për të rinj e të reja të përgatitur, profesionistë me integritet, kurajë dhe horizont evropian.

Sipas tij, synimi është që shërbimit diplomatik t’i bashkohen njerëz që dinë ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë, por edhe të krijojnë mundësi për të.

“Nganjëherë, njoftime të tilla kalojnë pa marrë gjithë vëmendjen që meritojnë. Mos e humbisni këtë mundësi!”, shkruajti Hoxha, duke i ftuar të interesuarit të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e diplomacisë shqiptare.

Ministri nënvizoi gjithashtu se diplomacia që sot përfaqëson Shqipërinë, nesër do të jetë pjesë e diplomacisë së Bashkimit Evropian.