Rekord historik në Wall Street/ Anthropic ia kalon SpaceX të Elon Musk, 81 miliardë dollarë nga dalja në bursë “Nëse fëmijët tuaj janë në Roblox, ata nuk janë aspak të sigurt.” Me këtë deklaratë senatori Josh Hawley hapi seancën e Senatit amerikan për rreziqet që hasin të miturit në platformën e lojërave. Ai akuzoi kompaninë se, edhe kur fëmijët dëmtohen, u kërkon familjeve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me arbitrazh privat, në vend që t’i çojnë në gjykatë.
“Nëse fëmijët tuaj janë në Roblox, dhe miliona fëmijë amerikanë janë aty çdo ditë, ata nuk janë aspak të sigurt. Më e keqja është se këto viktima detyrohen t’i zgjidhin çështjet me arbitrazh: dera e gjykatës u mbyllet përpara. Përse? Për para”, tha Josh Hawley, senator amerikan.
Një nga dëshmitarët, i identifikuar si Woody Doe, tha se ishte 11 vjeç kur njohu në Roblox një person që i ishte paraqitur si fëmijë. Më vonë, sipas dëshmisë së tij, ai person e shfrytëzoi seksualisht. Doe tregoi se loja i ishte dukur një vend i sigurt.
“Nuk kishte asnjë shenjë se mund të ishte diçka e rrezikshme për një fëmijë. Dukej thjesht si një kënd lojërash virtual, ku mund të krijoja botët e mia”, ka treguar dëshmitari Woody Doe.
Dëshmitari tjetër, Michael Schlep, tha se një i rritur kishte fituar besimin e tij në platformë kur ishte rreth 12 vjeç. Më pas, Schlep nisi të hetonte rastet e personave që u afroheshin fëmijëve në Roblox. Para senatorëve, ai tha se kontakti me të miturit ishte jashtëzakonisht i lehtë.
“Ishte jashtëzakonisht e lehtë që këta persona të afroheshin. Gjeja lojëra ku më shkruanin në Roblox brenda pak sekondash”, ka thënë Michael Schlep.
Hawley dhe senatori demokrat Dick Durbin kanë paraqitur një projektligj që synon t’u japë viktimave dhe familjeve të tyre mundësinë t’i drejtohen gjykatës, pavarësisht kushteve të përdorimit që parashikojnë arbitrazh privat. Roblox thotë se ka vendosur verifikim moshe për bisedat dhe kufizime mbrojtëse për përdoruesit nën 16 vjeç. Drejtori ekzekutiv i kompanisë ishte ftuar në seancë, por nuk mori pjesë.
Top Channel