Senati amerikan zhvilloi një seancë të posaçme për rreziqet që hasin të miturit në platformën e lojërave Roblox. Senatori Josh Hawley e hapi atë me një paralajmërim të prerë, duke theksuar se fëmijët që luajnë në këtë platformë nuk janë aspak të sigurt.
Ai e akuzoi kompaninë se, edhe kur të miturit dëmtohen, i detyron familjet t’i zgjidhin konfliktet përmes arbitrazhit privat dhe jo në gjykatë. Sipas tij, miliona fëmijë amerikanë hyjnë çdo ditë në Roblox, por viktimave u mbyllet dera e gjykatës dhe kjo ndodh për para.
Të lidhura
None found
Dëshmitari i parë, i identifikuar si Woody Doe, tregoi se ishte vetëm 11 vjeç kur takoi në Roblox një person që e prezantonte veten si fëmijë. Më vonë, sipas dëshmisë së tij, ai person e shfrytëzoi seksualisht. Doe shtoi se lojën e kishte parë si një vend të sigurt, një kënd lojërash virtual ku mund të krijonte botët e tij dhe ku nuk kishte asnjë shenjë rreziku për një fëmijë.
Dëshmitari tjetër, Michael Schlep, rrëfeu se një i rritur kishte arritur ta fitonte besimin e tij në platformë kur ai ishte rreth 12 vjeç. Më pas, ai nisi të hetonte rastet e personave që u afroheshin fëmijëve në Roblox dhe para senatorëve deklaroi se kontaktimi i të miturve ishte jashtëzakonisht i lehtë; mjaftonte të gjeje lojëra dhe mesazhet në Roblox vinin brenda pak sekondash.
Hawley dhe senatori demokrat Dick Durbin kanë propozuar një projektligj që do t’u japë viktimave dhe familjeve të tyre mundësinë t’i çojnë çështjet në gjykatë, pavarësisht kushteve të përdorimit që parashikojnë arbitrazh privat. Nga ana e saj, Roblox thotë se ka futur verifikimin e moshës për bisedat dhe ka vendosur kufizime mbrojtëse për përdoruesit nën 16 vjeç. Drejtori ekzekutiv i kompanisë ishte ftuar në seancë, por nuk mori pjesë.





