Kryesore

“Politikë, jo drejtësi”/ Azgan Haklaj: Nga Lidhja e Prizrenit dhe Parisi te Haga, përplasja me fatin e Kosovës

12:39 - 19.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Azgan Haklaj

​Në historinë e popujve ka momente kur sallat e gjykatave nuk shërbejnë thjesht për të dhënë vendime ligjore, por shndërrohen në skena ku përplasen e vërteta e një kombi, historia e tij dhe fatet e liderëve që e udhëhoqën drejt lirisë. Fjala e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përballë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ai e cilësoi procesin si “politikë, jo drejtësi”, përmbledh ndjesinë e padrejtësisë dhe zhgënjimit që ndan një popull i tërë.
​Epoka para gjyqit:
Nga Lidhja e Prizrenit dhe UÇK-ja te sakrifica e udhëheqësve!
​Për të kuptuar peshën e padrejtësisë së sotme, duhet kthyer vështrimin te epoka e lavdishme që i parapriu kësaj gjykate.
Para se Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij të vendoseshin në bankën e të akuzuarve, ata ishin arkitektët e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.
Në vitet më të errëta të shtypjes dhe spastrimit etnik nga regjimi i Beogradit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri historike dhe mburojë e vetme e mbijetesës kombëtare.
​Nga malet e lirisë e deri te tryezat e diplomacisë botërore në Rambuje, Thaçi dhe krerët e UÇK-së ndërtuan aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën demokratike, e cila kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e vendit në qershor të vitit 1999.

Pas luftës, e njëjta udhëheqje mori përsipër misionin e vështirë të ngritjes së institucioneve nga hiri, shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe sigurimit të njohjeve ndërkombëtare.
​Përsëritja e historisë:
Nga Sylejman Vokshi e Abdyl Frashëri te Avni Rrustemi në Paris.
​Ky fat tragjik i liderëve shqiptarë që përballen me gjykqe, kurthe dhe dënime për shkak të angazhimit të hekurt kombëtar nuk është i ri.
Ashtu si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), ku mendjet më të ndritura dhe organizatorët më të mëdhenj të kombit si Abdyl Frashëri dhe strategu ushtarak Sylejman Vokshi që u përndoqën, u arrestuan dhe u dënuan nga perandoritë e kohës sepse kërkonin të drejta dhe liri për shqiptarët; ngjashëm me Avni Rrustemin, i cili u gjykua dhe u ballafaqua me drejtësinë e manipuluar në Paris pas vrasjes së Esat Toptanit, sot historia po përsëritet në Hagë.
​Atëherë, si sot, sallat e gjykatave dhe tryezat ndërkombëtare u orvatën t’i kthenin heronjtë në të akuzuar, duke dashur të godasin vetë trungun e lirisë shqiptare.
Avni Rrustemi u bë simbol i gjyqit të patriotizmës përballë diplomacisë evropiane; në të njëjtën linjë, Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij po përballen sot me një proces ku po synohet të njolloset epoka më e pastër e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
​Një gjykatë që i dikton rregullat vetes dhe Kuvendit.
​

Pavarësia e pretenduar e Dhomave të Specializuara shpesh është shndërruar në një pushtet të pakontrolluar mbi ligjin dhe institucionet.
Kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, ish zv prokuroria në Gjykatën e Qarkut të Sofies në Bullgari në vitet 1985-1989 në regjimin e Teodor Zhivkovit e cila qysh nga viti 2017 drejton institucionin e Dhomave të Specializuara pa dhënë llogari, ndërsa vendimet e saj administrative nuk mund të kundërshtohen nga asnjë palë.
Për më tepër, vetë arroganca e këtij institucioni u pa kur Kuvendi i Kosovë të miratoi një ligj për gjykatën në tetor 2026, ndërsa përgjigja ishte se askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin – duke krijuar paradoksin e një gjykate të dalë nga Kuvendi i Kosovës që i jep mësime vetë Kuvendit.
​Alarmi i BHRC-së:
Paraburgim shumëvjeçar dhe shkelje procedurale
​Natyra politike e këtij procesi gjen mbështetje edhe në vlerësimet ndërkombëtare.
Në vitin 2026, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Avokatisë së Anglisë dhe Uellsit (BHRC) e shqyrtoi gjykatën për Avokatin e Popullit të Kosovës, duke nxjerrë në pah gjetje tronditëse:
​Njerëz të prezumuar të pafajshëm po mbahen në një “paraburgim shumëvjeçar”.
​Përdorimi i “materialit të patestuar ose me burim të jashtëm” në prova.
​Pabarazi në burime dhe procedura që prekin drejtpërdrejt mbrojtjen.

​Një trup gjykues tërësisht ndërkombëtar që funksionon shpesh si një fasadë mashtruese ndaj standardeve të mirëfillta të drejtësisë.
​Gjashtë vjet brenda dhe mungesa e humanizmit
​Përtej letrave dhe raporteve, ekziston realiteti i dhimbshëm njerëzor.
Hashim Thaçi është mbajtur i mbyllur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pothuajse gjashtë vjet si një njeri i prezumuar i pafajshëm. Kulmi i mungesës së ndjeshmërisë njerëzore u pa në mars të vitit 2025, kur gjykata e ndaloi të shkonte në varrimin e babait të tij, duke ia lejuar vizitën te varri vetëm më pas dhe të shoqëruar nga policia e EULEX-it.
Edhe ish-diplomati amerikan James Rubin i tha gjykatës në shtator 2025 se moslirimi i presidentit ishte “një problem”, duke dëshmuar se izolimi i tij ka prapavijë të qartë politike.
​Një palë në gjyq:
Kur historia rishkruhet

​Ironia më e madhe e këtij procesi është mungesa totale e ekuilibrit.
Ndërsa forcat serbe kryen krime masive në Kosovë, në këtë gjykatë nuk ka asnjë të akuzuar serb.
Kjo dëshmon qartë se kjo nuk ishte kurrë për organet, por për rishkrimin e një lufte çlirimtare si krim.
​Fjala e Hashim Thaçit se ky është një proces “politik, jo drejtësi” mbetet akuza më e saktë ndaj një mekanizmi që – ngjashëm me fatin e dikurshëm të Sylejman Vokshit, Abdyl Frashërit apo Avni Rrustemit në Paris – po përpiqet të gjykojë themelet e lirisë dhe qëndresës së shqiptarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.