“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”. Ky është mesazhi kryesor i “Deklaratës së paqes”, të miratuar nga Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në përfundim të samitit trepalësh në Shenzhen të Kinës.

Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit dhe është transmetuar nga televizioni shtetëror kinez CCTV. Por deklarata nuk ndalet vetëm te armët bërthamore. Tre liderët kanë rënë dakord edhe për bashkëpunim në sektorin e naftës, furnizimet me energji, reformimin e OKB-së dhe respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë.

Për çështjen bërthamore, SHBA-ja, Rusia dhe Kina angazhohen të zhvillojnë dialog për të ulur rreziqet dhe për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore. Sa i përket naftës, tre vendet synojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte nafte në dobi të të gjitha shteteve, duke theksuar rëndësinë e garantimit të furnizimeve të qëndrueshme me energji.

Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, tre vendet shprehen të gatshme të angazhohen për reformimin e OKB-së, në mënyrë që ajo t'u përgjigjet më mirë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Deklarata përfshin edhe një qëndrim për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Trump, Putin dhe Xi Jinping theksojnë se respektimi i imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe parimi i pëlqimit të shteteve janë të një rëndësie themelore. Sipas dokumentit, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Megjithëse lufta në Ukrainë dhe konflikti në Iran ishin ndër çështjet e diskutuara gjatë samitit, asnjëra nuk është përfshirë në mënyrë konkrete në “Deklaratën e paqes”. Dokumenti nuk përmban asnjë referencë të drejtpërdrejtë për Ukrainën, ndërsa për Iranin nuk është njoftuar ndonjë angazhim konkret nga tre liderët.


Lajmi kryesor:

'Lufta bërthamore nuk ka fitues', samiti historik Trump-Putin-Xi në Kinë mbyllet me 'Deklaratën e paqes'! 4 pikat: Reformimi i OKB-së, energjia, sovraniteti i shteteve dhe armët nukleare