Ndërsa shumica e njerëzve kanë nevojë për shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë për t’u ndier të çlodhur, ekziston një grup i vogël individësh që funksionojnë shumë mirë edhe me vetëm katër deri në gjashtë orë gjumë. Shkenca ka nisur të zbulojë arsyet që fshihen pas këtij fenomeni, duke identifikuar një rol të rëndësishëm të faktorëve gjenetikë.

Një prej tyre është Aimee Pugh Bernard, profesoreshë e imunologjisë në Universitetin e Kolorados, e cila prej vitesh ka një ritëm gjumi krejt të ndryshëm nga shumica e njerëzve. Ajo zakonisht shkon në shtrat rreth orës 22:00 dhe zgjohet në 04:30, pa pasur nevojë të qëndrojë më gjatë në shtrat.

Edhe në rastet kur arrin të flejë vetëm pesë orë, Bernard thotë se ndihet plot energji ditën tjetër. Ajo shëtit qenin, stërvitet për një orë në palestër dhe nis punën që në orët e para të mëngjesit. Madje, sipas saj, kjo është diçka e zakonshme edhe në familjen e saj, pasi të njëjtin ritëm gjumi e kanë edhe babai dhe vëllai.

Në vitin 2019, Bernard zbuloi se mund të kishte një shpjegim gjenetik për këtë veçanti. Ajo mësoi se mbart një mutacion të rrallë që lidhet me një gjendje të njohur si Familial Natural Short Sleep (FNSS), e cila karakterizohet nga nevoja për më pak orë gjumë pa shfaqur domosdoshmërisht pasojat që zakonisht lidhen me mungesën e tij.

Ky fenomen është studiuar nga një grup shkencëtarësh të Universitetit të Kalifornisë në San Francisko, të cilët kanë identifikuar disa mutacione gjenetike që lidhen me kohëzgjatjen e gjumit.

Studiuesit kanë vënë re se personat që i mbartin këto variante zgjohen natyrshëm shumë herët, duke fjetur nga katër deri në gjashtë orë e gjysmë në natë.

Ajo që i ka intriguar më shumë shkencëtarët është fakti se këta individë duket se nuk përjetojnë të njëjtat pasoja nga gjumi i shkurtër si pjesa tjetër e popullsisë.

Madje, disa eksperimente me minj kanë treguar se mutacionet e lidhura me këtë fenomen mund të ofrojnë një lloj mbrojtjeje ndaj problemeve të kujtesës. Në një tjetër studim, kafshët me disa prej këtyre varianteve gjenetike shfaqën më pak gjasa për të zhvilluar një gjendje të ngjashme me Alzheimerin.

Një eksperiment i vitit 2014, i kryer te një çift binjakësh, zbuloi gjithashtu rezultate interesante. Njëri prej tyre, që mbartte mutacionin e lidhur me gjumin e shkurtër, flinte rreth një orë më pak se vëllai i tij. Kur të dy u mbajtën zgjuar për 38 orë, binjaku me mutacionin shfaqi rreth 40% më pak gabime në testet e performancës.

Zbulimet kanë nxitur interes edhe në industrinë farmaceutike. Shkencëtarët shpresojnë se kuptimi më i mirë i këtyre ndryshimeve gjenetike mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve për çrregullimet e gjumit ose në gjetjen e mënyrave për të përballuar më mirë mungesën e tij.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar se si funksionojnë këto mutacione dhe nëse ato ofrojnë vërtet mbrojtje afatgjatë.

Sipas vlerësimeve shkencore, kohëzgjatja e gjumit mund të jetë 30-65% e trashëgueshme, çka do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e ndryshimeve mes individëve mund të shpjegohet nga gjenetika. Deri më tani, janë identifikuar qindra variante gjenetike që ndikojnë në numrin e orëve të gjumit.

Por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që flenë pak kanë një avantazh gjenetik. Disa studime kanë lidhur predispozitën për gjumë të shkurtër me rrezik më të lartë për pagjumësi, lodhje, simptoma depresive, ADHD dhe diabet të tipit 2. Të ndihesh mirë nuk do të thotë se ke fjetur mjaftueshëm. Një prej çështjeve që shqetëson studiuesit është fakti se njerëzit nuk janë gjithmonë në gjendje të kuptojnë se sa shumë ndikon mungesa e gjumit në organizmin e tyre.

Një studim ka treguar se personat që flinin vetëm katër ose gjashtë orë në natë për dy javë, shfaqnin përkeqësim të vazhdueshëm në testet e kujtesës dhe aftësive njohëse. Megjithatë, vetë pjesëmarrësit e vlerësonin përgjumjen e tyre si të lehtë.

Sipas studiuesve, kjo tregon se njeriu mund të përshtatet me mungesën e gjumit dhe të mos e kuptojë se performanca e tij po përkeqësohet.

Për këtë arsye, ekspertët paralajmërojnë se nuk mjafton të ndihesh energjik pas pesë orësh gjumë për të arritur në përfundimin se organizmi yt nuk ka nevojë për më shumë pushim.

Në rastin e Aimee Pugh Bernard, zbulimi i mutacionit gjenetik i dha një përgjigje për diçka që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ajo kishte menduar se ndoshta nuk dinte të relaksohej mjaftueshëm ose se vështirësia për të fjetur më gjatë lidhej me ngarkesën e përditshme.

Tashmë, thotë se e ka kuptuar se ky është thjesht ritmi i saj natyror. Megjithatë, shkenca mbetet e qartë: njerëzit që kanë nevojë për më pak gjumë janë një përjashtim dhe jo një arsye për të neglizhuar pushimin e përditshëm.