Bujqësia, vetëm 3.6% e mbështetjes shkon për investime, niveli më i ulët në rajon

Shqipëria jo vetëm që ofron mbështetjen më të ulët në Rajon për bujqësinë, por nga fondet publike vetëm një shumë qesharake shkon për të mbështetur investimet në sektor.
Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, “From Farm to Market”, të publikuar së fundmi, vetëm 3.6% e mbështetjes publike për bujqësinë në Shqipëri shkon për formimin e kapitalit fiks (pasuritë dhe pajisjet afatgjata që përdoren për prodhimin bujqësor për disa vite), niveli më i ulët ndër vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.
Në Serbi, kjo peshë është 10.6% mbështetjes për bujqësinë, në Kosovë 18.6%, në Mal të Zi 37.1%, ndërsa në Moldavi arrin në 55% e fondeve publike për bujqësinë.
Diferenca me vendet e rajonit është e konsiderueshme. Në Kosovë, pesha e fondeve të orientuara drejt investimeve është mbi pesë herë më e lartë se në Shqipëri, ndërsa në Mal të Zi mbi dhjetë herë. Në Moldavi, më shumë se gjysma e mbështetjes bujqësore shkon për formimin e kapitalit fiks.
Banka Botërore e cilëson buxhetin bujqësor shqiptar si më të voglin, më të paqëndrueshmin dhe më pak strategjik ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu programet e mbështetjes ndryshojnë shpesh nga një vit në tjetrin, duke e bërë të vështirë planifikimin afatgjatë të investimeve nga fermerët dhe duke dobësuar besimin te skemat publike.
Mbështetja bujqësore në Shqipëri është e përqendruar kryesisht te subvencionet afatshkurtra për kostot e prodhimit, veçanërisht karburantin dhe disa aktivitete blegtorale, ndërsa grantet për investime dhe masat e zhvillimit rural janë tkurrur ndjeshëm.
Sipas Bankës Botërore, ndërprerja e zbatimit të programit IPARD ka reduktuar ndjeshëm financimin për investime në bujqësi. Këto fonde nuk u zëvendësuan nga skemat kombëtare në vitin 2023, duke lënë një boshllëk në financimin e modernizimit të sektorit.
Raporti evidenton gjithashtu se rreth 52% e buxhetit bujqësor shqiptar shkon për shërbime të përgjithshme, një peshë shumë më e lartë se në disa vende të rajonit. Sipas Bankës Botërore, kjo nuk është rezultat i një orientimi strategjik drejt shërbimeve publike, por pasojë e nivelit të ulët të
Për Bankën Botërore, mbështetja e ulët dhe e paqëndrueshme po pengon modernizimin dhe konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, veçanërisht në kushtet e fragmentimit të fermave dhe nevojës për investime në teknologji, infrastrukturë dhe integrimin e prodhuesve në zinxhirët e tregut.
Raporti rekomandon rikthimin e një kuadri të qëndrueshëm financimi, të orientuar drejt investimeve, si dhe rivendosjen e akreditimit të programit IPARD, në mënyrë që mbështetja publike të ndikojë më shumë në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin afatgjatë të sektorit.
Paradoksi i bujqësisë shqiptare, pesha më e madhe në ekonomi, fondet më të pakta në rajon
Shqipëria është vendi ku bujqësia ka peshën më të madhe në ekonomi, por njëkohësisht merr mbështetjen më të ulët buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.
Bujqësia kontribuon me mbi 15% të ekonomisë shqiptare, ndërsa fondet buxhetore për sektorin përfaqësojnë vetëm 0.54% të PBB-së, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, “From Farm to Market”, të publikuar në tetor 2026.
Në vendet e tjera të rajonit, pesha e bujqësisë në ekonomi është dukshëm më e ulët, por mbështetja publike për sektorin është më e lartë.
Në Serbi, për shembull, kontributi i bujqësisë në PBB ka zbritur nga 5.6% në vitin 2015 në 3.1% në vitin 2024, ndërsa mbështetja buxhetore për sektorin arrin në 1.19% të PBB-së, më shumë se dyfishi i nivelit të Shqipërisë.
Në Maqedoninë e Veriut, buxheti bujqësor përfaqëson 1.29% të PBB-së, në Kosovë 1.11%, ndërsa në Moldavi arrin në 2.05%, ose pothuajse katër herë më shumë se në Shqipëri.
Edhe Mali i Zi, ku bujqësia ka një peshë shumë më të vogël në ekonomi, shpenzon 0.84% të PBB-së për mbështetjen e sektorit, më shumë se Shqipëria.
Banka Botërore e cilëson buxhetin bujqësor shqiptar si më të voglin, më të paqëndrueshmin dhe më pak strategjikun në Ballkanin Perëndimor.
Raporti evidenton se mbështetja publike për bujqësinë në Shqipëri ka pasur luhatje të vazhdueshme, si në nivelin e financimit, ashtu edhe në strukturën e skemave. Kjo paqëndrueshmëri e bën të vështirë planifikimin e investimeve afatgjata dhe kufizon mundësinë e fermerëve për të modernizuar aktivitetin.
Diferencat me rajonin janë të dukshme edhe nëse fondet krahasohen me sipërfaqen e tokës bujqësore.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria shpenzon vetëm 86 euro për hektar tokë bujqësore, niveli më i ulët ndër vendet e analizuara. Në Serbi, mbështetja arrin në 287 euro për hektar, në Kosovë 300 euro dhe në Mal të Zi 254 euro.
Një tjetër problem është struktura e shpenzimeve. Shqipëria përdor një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për mbështetjen e kostove të prodhimit dhe shërbimeve të përgjithshme, ndërsa fondet për investime mbeten të kufizuara.
Shqipëria ka madhësinë mesatare më të vogël të fermave ndër vendet e studimit, me vetëm 1.2 hektarë, krahasuar me 1.79 hektarë në Kosovë, 2.5 hektarë në Moldavi dhe 6.2 hektarë në Serbi. Rreth 45% e fermave shqiptare kanë më pak se një hektar tokë.
Fragmentimi kufizon mekanizimin, përdorimin e teknologjisë dhe mundësinë për të prodhuar në sasi të mëdha, ndërsa mungesa e financimit për investime e bën më të vështirë kapërcimin e këtyre pengesave.
Megjithëse Shqipëria ka arritur të zhvillojë disa segmente konkurruese, veçanërisht në prodhimin dhe eksportin e perimeve të freskëta, zhvillimi i përgjithshëm i sektorit mbetet i kufizuar nga produktiviteti i ulët dhe lidhjet e dobëta ndërmjet fermerëve, grumbulluesve dhe industrisë përpunuese.
Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka një sektor bujqësor me dinamizëm të lartë privat, por me mbështetje publike të dobët dhe të paqëndrueshme. Përmirësimi i konkurrueshmërisë kërkon kalimin nga subvencionet afatshkurtra drejt investimeve, forcimin e organizimit të prodhuesve dhe zhvillimin e zinxhirëve të produkteve me potencial eksportues./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









