Cassano shpërthen ndaj rikthimit të Ronaldinhos në fushë: Ishte një farsë qesharake!

Cassano shpërthen ndaj rikthimit të Ronaldinhos në fushë: Ishte një farsë qesharake!

13:41, 19/11/2026

Rikthimi i Ronaldinhos në futbollin e luajtur, 11 vite pas tërheqjes nga fushat, nuk është pritur mirë nga të gjithë. Legjenda braziliane zhvilloi një ndeshje zyrtare me Ravenna-n, skuadër e kategorisë së tretë italiane, por paraqitja e tij për 45 minuta në fitoren ndaj Forlì-t shkaktoi reagime të forta. Një prej kritikëve më të ashpër ishte ish-sulmuesi italian, Antonio Cassano.

Ish-futbollisti, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube të mëdha si Roma, Milani dhe Real Madridi, nuk i kurseu kritikat ndaj këtij rikthimi, megjithëse pranoi madhështinë e Ronaldinhos si futbollist.

“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për Ronaldinhon, si njeri dhe si lojtar. Për mua, ai vazhdon të jetë mes pesë futbollistëve më të mëdhenj në histori, së bashku me Messin, Maradonën, Ronaldon dhe ndoshta Pelé-në”, deklaroi Cassano.

Megjithatë, italiani ishte shumë i ashpër kur foli për paraqitjen e brazilianit në ndeshjen me Ravenna-n.

“Ajo që bëri ditën tjetër ishte shumë, shumë e pakëndshme për t'u parë. Në moshën 46-vjeçare dhe në ato kushte, çfarë duhej të bënte? Nuk e kuptova. E bëri sepse ka një marrëdhënie me Ciprianin, i cili është miku i tij. Dhe sepse i kanë dhënë shumë para. Nuk e di. Për mua ishte një farsë qesharake. Nuk di si mund të interpretohet ndryshe”, u shpreh ish-sulmuesi.

Cassano shkoi edhe më tej, duke thënë se në vendin e Ronaldinhos nuk do të pranonte kurrë të merrte pjesë në një ndeshje të tillë, pavarësisht shumës së parave që mund t'i ofrohej.

“Nuk do ta kisha bërë as nëse do të më ofronin 10 milionë euro. Madje as për 20 milionë”, deklaroi ai.

Ish-futbollisti italian pranoi se ishte befasuar nga vendimi i Ronaldinhos, pasi gjithmonë kishte pasur një vlerësim të veçantë për të.

“U habita, sepse ai ka qenë gjithmonë modest dhe është një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit”, shtoi Cassano.

Megjithatë, në përfundim, ai nuk e zbuti aspak qëndrimin e tij, duke e cilësuar rikthimin e brazilianit si një veprim të turpshëm.

“Nëse më kërkohet të vlerësoj konkretisht atë që ndodhi, për mua ishte një turp. Një cirk i vërtetë”, përfundoi Cassano.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco