Reforma territoriale- administrative, ka krijuar një realitet të ri në qarkun e Shkodrës, i cili do të reflektohet në zgjedhjet e 9 majit 2027. Nga 5 bashki, gara do të zhvillohet në katër, teksa Puka ka “thithur” bashkinë e Fushë Arrëzit. Ndërsa priten akte ligjore e nënligjore për detajet e organizimit të kësaj bashkie të re, e sigurtë është se dy kryetarët aktualë të këtyre bashkive, Rrok Dodaj dhe Hilë Curri, do të jenë ndër kandidatët kryesorë për garën e 9 majit 2027.
Hilë Curri, e ka shprehur tashmë ambicjen e tij për të qenë ai kandidati i PD- së, ndërsa edhe Rrok Dodaj, përmes lajmeve të shpërndara në disa portale lokale, ka nënkuptuar dëshirën për rikandidim, duke artikuluar se “ka marrë mbështetjen e bazës”. Situata aktuale, nuk duket shumë normale në të vetmet njësi administrative në qarkun Shkodër, të udhëhequra nga opozita. Karrigia e kryetarit të ardhshëm është vetëm një, ndërsa ambicjet për të, të paktën për rikandidim, i kanë dy kryetarë aktualë.
Nëse mund të konsiderohet e tillë, zgjidhja mund të ishin primaret brenda PD- së, por nga të gjitha drejtimet, duke nisur nga kryetari Berisha, jo vetëm nuk janë të preferuara por me shumë mundësi, nuk do të zhvillohen për të parandaluar përçarje të mundshme brenda strukturës demokrate. Në mungesë të primareve, proces që nuk mund të zhvillohet në vetëm këto dy bashki duke krijuar precedent dhe pakënaqësi, nuk shihet në horizont një mundësi tjetër për të eliminuar përçarjen e mundshme.
Nga ana tjetër, natyrshëm degët e PD- së në Pukë dhe Fushë Arrëz, akoma nuk janë shkrirë në një të vetme për të strukturuar një votim të mundshëm të përbashkët, minimalisht në forumet vendimarrëse. Me gjasë, nëse votohet në strukturat aktuale, në degën e PD- së Pukë fitues teorik duhet të jetë kryebashkiaku Dodaj dhe në degën e PD- së Fushë Arrëz, kryebashkiaku Curri.
Në politikën shqiptare, edhe kur nuk janë artikuluar publikisht, pakënaqësitë për moskandidim, janë shprehur jo vetëm në PD por edhe PS por tek kjo e fundit, “paqtohen” lehtë si parti në qeverisje të vendit nga 2013-a. “Marrëveshja” e vetme, duket ndarja paraprake e posteve: Rrok Dodaj kandidat për kryebashkiak i Bashkisë së Pukës që bashkuar me Fushë Arrëzin dhe Hilë Curri, zëvendëskryetar bashkie në ish- bashki dhe drejtues i qytetit të Fushë Arrëzit.
Me shkrirjen e dy bashkive në një, teorikisht PD do ta ketë më të lehtë ruajtjen e mazhorancës në Bashkinë Pukë, meqenëse edhe në 2023, të ndara, u fituan nga përfaqësues të saj. “Surpriza” mund të vijë vetëm nga brenda “familjes politike”, nëse nuk gjendet kompromis për emrin e kandidatit për Bashkinë e Pukës, mes dy kryetarëve aktualë Dodaj e Curri. Alternativa tjetër, mund të ishte një emër i tretë i ri, në nisje premisë për eliminimin e hatërmbetjeve të mundshme të mosrikandidimit. /ShkodraWeb/




